
Izraeli ka akuzuar presidentin francez Emmanuel Macron për ndërmarrjen e një “kryqëzate kundër shtetit hebre”, pasi ky i fundit kërkoi që vendet evropiane të mbajnë një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit nëse situata humanitare në Rripin e Gazës nuk përmirësohet.
“Nuk ka asnjë bllokadë humanitare. Kjo është një gënjeshtër e hapur,” tha Ministria e Jashtme izraelite në një deklaratë zyrtare, duke mbrojtur përpjekjet e saj për të lejuar hyrjen e ndihmave, përcjell The Guardian.
“Por, në vend që të ushtrojë presion ndaj terroristëve xhihadistë, Macron dëshiron t’i shpërblejë ata me një shtet palestinez. Pa dyshim, dita e tij kombëtare do të jetë 7 tetori.”
Deklarata e ashpër vjen pasi presidenti francez, gjatë një vizite shtetërore në Singapor, u shpreh se njohja e një shteti palestinez me kushte të përcaktuara nuk është vetëm një “detyrim moral, por edhe një domosdoshmëri politike”.
Macron theksoi gjithashtu se një “qëndrim më i ashpër” do të nënkuptonte heqjen dorë nga supozimi se të drejtat e njeriut po respektohen nga Izraeli dhe zbatimin e sanksioneve ndaj këtij të fundit.
Deklaratat e presidentit francez pritet të nxisin tensione të mëtejshme diplomatike mes Parisit dhe Tel Avivit, në një kohë kur presioni ndërkombëtar për ndalimin e operacioneve ushtarake izraelite në Gaza po rritet.