Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Federale e SHBA bllokon tarifat e gjera të Trump-it për shkelje të autoritetit presidencial


Një gjykatë tregtare në SHBA ka shpallur të paligjshme skemën e tarifave të gjera të presidentit Donald Trump, në një vendim të bujshëm që godet në thelb politikën e tij tregtare globale.

Vendimi, i marrë nga një panel prej tre gjyqtarësh në Gjykatën Ndërkombëtare të Tregtisë me qendër në Nju Jork, vjen pas disa padive që argumentuan se Trump kishte tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese, duke e bërë politikën tregtare të SHBA-ve të varur nga vendimet arbitrare të presidentit dhe duke shkaktuar kaos ekonomik global.

Trump kishte anashkaluar Kongresin, që zakonisht duhet të miratojë vendosjen e tarifave, duke deklaruar se deficiti tregtar i SHBA-ve përbënte një emergjencë kombëtare.

Kjo i kishte dhënë mundësi që muajin e kaluar të vendoste tarifa të gjera ndaj shumicës së vendeve, një lëvizje që tronditi tregjet ndërkombëtare.

Gjykata vendosi se urdhrat e Trump për tarifat “tejkalojnë çdo autoritet që i është dhënë presidentit për të rregulluar importet përmes tarifave”.

Gjyqtarët theksuan se nuk po gjykonin mbi mençurinë apo efektivitetin e tarifave, por vetëm mbi bazën ligjore të tyre. “Përdorimi i tyre është i papranueshëm jo sepse është i paarsyeshëm apo joefektiv, por sepse ligji federal nuk e lejon,” thuhej në vendim, përcjell The Guardian.

Vendimi u prit pozitivisht nga tregjet financiare. Dollari amerikan u forcua ndjeshëm, ndërsa tregjet evropiane dhe aziatike pësuan rritje të ndjeshme. Indeksi gjerman DAX u rrit me 0.9%, CAC 40 në Francë me 1%, ndërsa FTSE 100 në Britani me 0.1% në hapje të tregtimit.

Gjykata shpalli të pavlefshme të gjitha tarifat e vendosura nëpërmjet Ligjit për Kompetencat Ekonomike në Raste Emergjente Ndërkombëtare (IEEPA), që është parashikuar për rrethana të jashtëzakonshme dhe jo për deficite tregtare afatgjata.

Trump tani duhet të nxjerrë urdhra të rinj që të reflektojnë ndalimin përfundimtar, brenda 10 ditëve.

Administrata Trump ka apeluar menjëherë vendimin. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Kush Desai, deklaroi: “Nuk është detyra e gjyqtarëve të paemëruar të vendosin si duhet të trajtohet një emergjencë kombëtare.”

Vendimi, nëse mbetet në fuqi, do të dëmtojë rëndë strategjinë tregtare të Trump, që përfshinte përdorimin e tarifave të larta për të detyruar lëshime nga partnerët tregtarë, rikthimin e vendeve të punës prodhuese dhe uljen e deficitit tregtar prej 1.2 trilionë dollarësh.

Pa IEEPA-n, administrata do të duhet të përdorë metoda më të ngadalta, përmes hetimeve dhe ligjeve ekzistuese tregtare.

Vendimi nuk prek tarifat që Trump ka vendosur ndaj industrive specifike si automjetet, çeliku dhe alumini, të cilat janë vendosur në bazë të një ligji tjetër për sigurinë kombëtare (seksioni 232).

Analistët e Goldman Sachs vunë në dukje se ekzistojnë ende mënyra të tjera ligjore që Trump mund të përdorë për të vendosur tarifa të përgjithshme ose të drejtuara ndaj vendeve të caktuara. Megjithatë, ata pranuan se kjo përbën një pengesë serioze dhe rrit pasigurinë për partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së.

Ndërkohë, Stephen Miller, zëvendësshefi i stafit për politika në Shtëpinë e Bardhë, shkroi në rrjetet sociale: “Grushti i shtetit gjyqësor po del jashtë kontrollit.”

Presidenti Trump nuk reagoi menjëherë për vendimin në platformën e tij “Truth Social”. Në vend të kësaj, ai publikoi një postim për një vendim gjyqësor tjetër që e cilësoi si të favorshëm, lidhur me padinë e tij kundër bordit të çmimeve Pulitzer.

Së paku shtatë padi janë ngritur kundër tarifave të vendosura nga Trump – që përbëjnë themelin e politikës së tij tregtare – përfshirë një padi nga biznese të vogla dhe një tjetër nga 12 shtete amerikane të udhëhequra nga Oregoni.

“Ky vendim riafirmon se ligjet tona kanë rëndësi dhe se vendimet tregtare nuk mund të merren në mënyrë arbitrare nga presidenti,” deklaroi Prokurori i Përgjithshëm i Oregonit, Dan Rayfield.

Paditësit argumentuan se ligji për kompetencat emergjente nuk i jep presidentit fuqinë për të vendosur tarifa dhe se deficiti tregtar nuk përbën një kërcënim të jashtëzakonshëm, duke qenë se SHBA ka pasur deficit tregtar për 49 vjet rresht.

Trump ka përdorur tarifat për të goditur importet nga vende si Kanadaja, Kina dhe Meksika, me arsyetimin se ato ndihmojnë në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe trafikut të drogave sintetike.

Administrata e tij është mbështetur te precedentët, si tarifat e përdorura nga ish-presidenti Richard Nixon në vitin 1971, dhe ka argumentuar se vetëm Kongresi dhe jo gjykatat mund të vendosin nëse arsyetimi i presidentit për emergjencën është i ligjshëm.

Tarifat e ashtuquajtura “ditë çlirimi” të Trumpit shkaktuan tronditje në tregjet financiare botërore, duke bërë që shumë ekonomistë të ulin pritshmëritë për rritjen ekonomike të SHBA-ve.

Megjithatë, deri më tani, efektet e tyre direkte mbi konsumatorët amerikanë nuk janë ndjerë ndjeshëm.