Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria shqiptare miraton 80 milionë lekë për “Durrah City Football Academy” për vitin 2025


Qeveria shqiptare ka miratuar zyrtarisht përdorimin e një fondi prej 80 milionë lekësh për financimin e veprimtarisë së “Durrah City Football Academy” për vitin 2025. Vendimi është publikuar së fundmi në Fletoren Zyrtare dhe vjen si pjesë e programit buxhetor për zhvillimin e sportit, nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Sipas dokumentit zyrtar, fondet do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve operacionale të fondacionit “Durrah City Football Academy”, një projekt që realizohet në bashkëpunim me grupin ndërkombëtar City Group, dhe synon të nxisë zhvillimin e talenteve të reja në futbollin shqiptar.

“Fondi i përcaktuar transferohet në llogarinë e fondacionit në një bankë të nivelit të dytë. Raporti i shpenzimeve të realizuara për vitin 2025 duhet të dorëzohet deri në shkurt të vitit pasardhës,” thuhet në vendim.

Po ashtu, theksohet se fondet publike do të menaxhohen sipas rregullave ligjore për menaxhimin financiar dhe kontrollin, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie për përdorimin e buxhetit të shtetit.

Kujtojmë se gjatë vitit 2024, qeveria kishte akorduar edhe një fond tjetër prej 90 milionë lekësh për të mbështetur aktivitetin e kësaj akademie, duke e bërë projektin një ndër më të financuarit në fushën e sportit për të rinj në vend.

Vendimi është firmosur nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, me porosi të kryeministrit Edi Rama, dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Ky është një tjetër sinjal i angazhimit të qeverisë për të investuar në sportin bazë dhe talentet e reja në Shqipëri.