
Kushtet e presidentit rus Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përfshijnë një kërkesë që krerët perëndimorë të zotohen me shkrim për të ndaluar zgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe për të hequr një pjesë të sanksioneve ndaj Rusisë, sipas tre burimeve ruse me njohuri për negociatat.
Presidenti i SHBA-së Trump ka thënë vijimësisht se dëshiron t’i japë fund luftës më vdekjeprurëse evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka treguar zhgënjim në rritje me Putinin ditët e fundit, duke paralajmëruar të martën se kreu rus po “luan me zjarrin” duke kundërshtuar të përfshihet në bisedimet e armëpushimit me Kievin, ndërsa forcat e tij shënuan disa përparime në fushën e betejës.
Pasi foli me Trump për më shumë se dy orë javën e kaluar, Putin tha se ai kishte rënë dakord të punonte me Ukrainën për një memorandum që do përcaktonte konturet e një marrëveshjeje paqeje, duke përfshirë kohën e një armëpushimi. Rusia thotë se tani është duke hartuar versionin e saj të memorandumit dhe nuk mund të vlerësojë se sa kohë do zgjasë.
Kievi dhe qeveritë evropiane kanë akuzuar Moskën për ngecje ndërsa trupat e saj përparojnë në Ukrainën lindore.
“Putini është gati të bëjë paqe, por jo me çdo çmim,” tha një burim i lartë rus me njohuri për mendimin e nivelit të lartë të Kremlinit, i cili foli në kushte anonimiteti.
Tre burimet ruse thanë se Putini dëshiron një premtim “të shkruar” nga fuqitë e mëdha perëndimore për të mos zgjeruar aleancën e NATO-s të udhëhequr nga SHBA drejt lindjes – stenografi për përjashtimin zyrtar të anëtarësimit të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë si dhe ish-republika të tjera sovjetike.
Rusia gjithashtu dëshiron që Ukraina të jetë asnjanëse, heqjen e disa sanksioneve perëndimore, një zgjidhje të çështjes së aseteve të ngrira sovrane ruse në Perëndim dhe mbrojtje për rusishtfolësit në Ukrainë, thanë tre burimet.
Burimi i parë tha se, nëse Putin e kupton se nuk është në gjendje të arrijë një marrëveshje paqeje me kushtet e tij, ai do kërkojë t’u tregojë ukrainasve dhe evropianëve me fitoret ushtarake se “paqja nesër do jetë edhe më e dhimbshme”.
Kremlini nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi raportimin e Reuters. Putin dhe zyrtarët rusë kanë thënë në vijim se çdo marrëveshje paqeje duhet të adresojë “shkaqet rrënjësore” të luftës – stenografinë ruse për çështjen e zgjerimit të NATO-s dhe mbështetjen perëndimore për Ukrainën.
Kievi ka thënë se Rusisë nuk duhet t’i jepet e drejta e vetos mbi dëëshirat e saj për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s. Ukraina thotë se ka nevojë që Perëndimi t’i japë një garanci të fortë sigurie për të penguar çdo sulm të ardhshëm rus.
Administrata e presidentit Zelensky nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
NATO ka thënë gjithashtu në të kaluarën se nuk do ndryshojë politikën e saj të “derëve të hapura” vetëm sepse e kërkon Moska. Një zëdhënës i aleancës prej 32 anëtarësh nuk iu përgjigj pyetjeve të Reuters.
Putin urdhëroi dhjetëra mijëra trupa të hyjnë në Ukrainë në shkurt 2022 pas tetë vjet luftimesh në Ukrainën lindore midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave ukrainase.
Rusia tani për tani kontrollon pak më pak se një të pestën e vendit. Megjithëse përparimet ruse janë përshpejtuar gjatë vitit të kaluar, lufta po i kushton shtrenjtë Rusisë dhe Ukrainës për sa i përket viktimave dhe shpenzimeve ushtarake.
Reuters raportoi në janar se Putini po shqetësohej gjithnjë e më shumë nga problemet ekonomike në ekonominë ruse të kohës së luftës, mes mungesës së fuqisë punëtore dhe normave të larta të interesit të vendosura për të frenuar inflacionin. Çmimi i naftës, baza e ekonomisë ruse, ka rënë në mënyrë të vijueshme këtë vit.
Trump ka paralajmëruar se Uashingtoni mund të vendosë sanksione të mëtejshme nëse Moska vonon përpjekjet për të gjetur një zgjidhje. Trump duke sugjeruar në mediat sociale të dielën se Putini ishte “çmendur absolutisht” me kryerjen e një sulmi të madh ajror në Ukrainë javën e kaluar.
Burimi i parë tha se nëse Putini do shihte një mundësi taktike në fushën e betejës, ai do shtynte më tej në Ukrainë për të pushtuar të tjera territore dhe se Kremlini besonte se Rusia mund të luftonte për vite me radhë, pavarësisht se çfarë sanksionesh dhe dhimbjesh ekonomike do vendoseshin nga Perëndimi.
Një burim i dytë tha se Putini tani ishte më pak i prirur për të bërë kompromis për territorin dhe po i qëndronte qëndrimit të tij publik se do tërësinë e katër rajoneve në Ukrainën lindore të pretenduara nga Rusia.
“Putini e ka ashpërsuar pozicionin e tij,” tha burimi i dytë për çështjen e territorit.

Zgjerimi i NATO-s
Në qershor të vitit të kaluar, Putin përcaktoi kushtet e tij të bisedimeve për një fund të menjëhershëm të luftës: Ukraina të heqë ambiciet e saj për të hyrë në NATO dhe të tërheqë të gjitha trupat e saj nga i gjithë territori i katër rajoneve të Ukrainës, të pretenduara dhe kryesisht të kontrolluara nga Rusia.
Përveç Krimesë, të cilën e aneksoi në vitin 2014, Rusia kontrollon pothuajse të gjithë Luhanskun, më shumë se 70% të rajoneve Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson. Ajo gjithashtu zë një pjesë të rajoneve Kharkiv dhe Sumy dhe po kërcënon Dnipropetrovsk.
Ish-presidenti i SHBA-së Joe Biden, udhëheqësit e Evropës Perëndimore dhe Ukraina e cilësuan pushtimin si një rrëmbim toke të stilit perandorak dhe janë zotuar në mënyrë të përsëritur të mposhtin forcat ruse.
Putin e konsideron luftën si një çast vendimtar në marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin, për të cilin ai thotë se e poshtëroi Rusinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, duke zgjeruar NATO-n dhe duke shkelur atë që ai e konsideron sferën e ndikimit të Moskës.
Në samitin e Bukureshtit të vitit 2008, udhëheqësit e NATO-s ranë dakord që Ukraina dhe Gjeorgjia një ditë do bëheshin anëtarë. Ukraina në vitin 2019 ndryshoi kushtetutën e saj duke u angazhuar në rrugën e anëtarësimit të plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Trump ka thënë se mbështetja e mëparshme e SHBA-së për ofertën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO ishte shkaku i luftës dhe ka treguar se Ukraina nuk do anëtarësohet. Departamenti Amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj një kërkese për koment për këtë shkrim.
Putin, i cili u bë president në vitin 1999, i është rikthyer vazhdimisht çështjes së zgjerimit të NATO-s, duke përfshirë komentet e tij më të hollësishme për një paqe të mundshme në 2024.
Në vitin 2021, vetëm dy muaj përpara pushtimit rus, Moska propozoi një projektmarrëveshje me anëtarët e NATO-s që, sipas nenit 6, do ta detyronte NATO-n të “frenohet nga çdo zgjerim i mëtejshëm i NATO-s, përfshirë pranimin e Ukrainës si dhe shteteve të tjera”. Diplomatët e SHBA-së dhe NATO-s thanë në atë kohë se Rusia nuk mund të kishte të drejtën e vetos për zgjerimin e aleancës.
Rusia dëshiron një premtim për NATO-n me shkrim, sepse Putin mendon se Moska u mashtrua nga Shtetet e Bashkuara pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, kur Sekretari amerikan i Shtetit James Baker siguroi kreun sovjetik Mikhail Gorbachev në 1990 se NATO nuk do zgjerohej drejt lindjes, thanë dy nga burimet.
Kishte një premtim të tillë verbal, tha në kujtimet e tij ish-drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Ëilliam J. Burns, por ai nuk u zyrtarizua kurrë dhe u bë në një kohë kur rënia e Bashkimit Sovjetik nuk kishte ndodhur.
NATO, e themeluar në vitin 1949 për të ofruar siguri kundër Bashkimit Sovjetik, thotë se nuk përbën asnjë sfidë për Rusinë – megjithëse vlerësimi i saj i vitit 2022 për paqen dhe sigurinë në zonën euro-atlantike e identifikoi Rusinë si “kërcënimin më të rëndësishëm dhe më të drejtpërdrejtë”.
Pushtimi rus i Ukrainës atë vit bëri që Finlanda të anëtarësohej në NATO në 2023, e ndjekur nga Suedia në 2024.
Udhëheqësit e Evropës Perëndimore kanë thënë vazhdimisht se nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë, një ditë mund të sulmojë vetë NATO-n, një hap që mund të shkaktonte një luftë botërore. Rusia hedh poshtë pretendime të tilla si frikësuese të pabaza, por gjithashtu ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani