
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka ndarë një lajm të rëndësishëm për Shqipërinë.
UNESCO ka dhënë rekomandimin zyrtar për shpalljen e Luginës së Vjosës si Rezervat Biosfere.
Në një postim në Facebook, Kumbaro e cilësoi këtë si një vlerësim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar për natyrën e paprekur të Vjosës dhe përpjekjet e vazhdueshme për mbrojtjen e saj. Ajo theksoi se ky është një hap i madh drejt ruajtjes së lumit të fundit të egër në Evropë dhe një njohje për komunitetet që jetojnë në harmoni me natyrën.
Postimi i plotë:
Ditë të mbarë me një lajm që na mbush me emocion dhe krenari: #UNESCO ka dhënë rekomandimin zyrtar që Lugina e Vjosës të shpallet Rezervat Biosfere .
Është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar është njohja ndaj bukurisë së egër të Vjosës, mirënjohja për njerëzit e atyre trevave që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës.
Dhe asgjë nuk ka ndodhur rastësisht, por vjen pas një pune shumë intensive të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, nga vizita e parë e Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s Audrey Azoulay në Vjosë në shkurt 2023, e deri te puna e palodhur e specialistëve të zonave të mbrojtura që ndoqën çdo hap me përkushtim e profesionalizëm.
Vjosa sot nuk është vetëm lumi, por është MODELI i zhvillimit të qëndrueshëm, ku natyra frymëzon ndërsa në shtator të këtij viti pritet miratimi përfundimtar nga Këshilli i Rezervateve të Biosferës të UNESCO-s për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore si një himn për natyrën dhe për njerëzit .