
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka hedhur poshtë raportimet e disa mediave lidhur me shitjen në fshehtësi të mishit të derrit të kontaminuar me salmonelë, duke i cilësuar lajmet si të pavërteta dhe të pabazuara.
Në një deklaratë zyrtare për mediat, AKU sqaron se bëhet fjalë për një sasi prej 4,516.75 kg fileto mish derri të importuar nga Brazili, e cila është bllokuar që më 28 janar 2025 pasi analizat laboratorike konfirmuan praninë e salmonella spp.
Sipas institucionit, mishi i ndaluar është mbajtur i izoluar në magazinat e subjektit importues dhe nuk ka hyrë në qarkullim tregtar. Më 16 prill 2025, kompania ka paraqitur kërkesë zyrtare për asgjësimin e plotë të sasisë, duke përfshirë në këtë proces të gjitha autoritetet kompetente, si Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë dhe Drejtoria Rajonale e AKU-së.
“Sigurojmë konsumatorët se kjo sasi është asgjësuar në prani të përfaqësuesve të të gjitha institucioneve përkatëse dhe nuk ka pasur rrezik për shëndetin publik,” thuhet në deklaratën e AKU.
Autoriteti thekson angazhimin e tij për transparencë dhe për garantimin e sigurisë ushqimore, duke siguruar se është në gatishmëri të plotë për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve.