
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli, është liruar nga autoritetet serbe pas ndalimit të tij më herët gjatë ditës në pikën kufitare të Merdarës. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), e cila njoftoi se Agusholli tashmë ka vijuar udhëtimin e tij drejt Sllovenisë, destinacioni përfundimtar.
MPJD ka shprehur shqetësim të thellë për ndalime të tilla, duke i cilësuar si praktika represive të Serbisë, që shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe konventat për të drejtat e njeriut.
“MPJD do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje çdo situatë që cenon të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë ndaj Serbisë për ndalimin e praktikave të tilla,” thuhet në reagimin zyrtar të Ministrisë.
Ky incident vjen në një kohë kur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të ngritura, veçanërisht sa i përket lëvizjes së lirë dhe ndalimeve të zyrtarëve apo ish-zyrtarëve kosovarë nga autoritetet serbe.