Vendosni fjalën kyçe....

Sulmet e fundit ruse mbi Ukrainë, Zelensky: Heshtja e SHBA-së inkurajon Putinin


Të paktën 12 persona janë vrarë në një valë sulmesh ajrore ruse ndaj Ukrainës – më e madhja që nga fillimi i luftës,  ku janë përdorur afro 300 dronë dhe gati 70 raketa, përfshirë edhe raketa balistike.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka akuzuar publikisht heshtjen ndërkombëtare, veçanërisht atë të Shteteve të Bashkuara, se po i jep zemër Kremlinit.

“Secili sulm terrorist rus është një arsye e mjaftueshme për sanksione të reja kundër Rusisë,” shkroi Zelenskyy në rrjetin X, teksa theksoi se objektivat e sulmeve ishin qytete të zakonshme ukrainase, sipas The Guardian.

Sipas tij, forcat ruse kanë goditur jo vetëm kryeqytetin Kyiv, por edhe rajonet Zhytomyr, Khmelnytskyi, Ternopil, Chernihiv, Sumy, Odesa, Poltava, Dnipro, Mykolaiv, Kharkiv dhe Cherkasy.

Presidenti ukrainas shtoi: “Rusia po e zvarrit këtë luftë dhe vazhdon të vrasë çdo ditë. Bota mund të marrë pushime fundjave, por lufta nuk ndalet – ajo vazhdon, pa dallim ditësh. Kjo nuk mund të shpërfillet. Heshtja e Amerikës dhe e të tjerëve në botë vetëm sa e inkurajon Putinin.”

Ai kërkoi presion të shtuar dhe të menjëhershëm ndaj Kremlinit: “Pa një presion real dhe të fuqishëm mbi udhëheqjen ruse, kjo brutalitet nuk do të ndalet. Sanksionet janë të nevojshme. Ajo që ka rëndësi tani është vendosmëria – vendosmëria e Shteteve të Bashkuara, e vendeve evropiane dhe e të gjithë atyre në botë që duan paqe.”

Sipas autoriteteve, sulmet kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe ndërtesa banimi në mbi 30 qytete dhe fshatra të Ukrainës. Ekipet e emergjencës janë ende në terren për të shuar zjarret dhe për të kërkuar të mbijetuar nën rrënoja.