
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gramsh, ku rreth 70 fëmijë të një kopshti publik u helmuan nga ushqimi i konsumuar, ka reaguar organizata Qëndresa Qytetare, duke denoncuar mungesën e reagimit institucional dhe kërkuar transparencë të plotë.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, organizata shprehet se: “Ç’organizimi i organizuar i institucioneve publike u ekspozua edhe sot, kur Policia e Elbasanit lidhur me ngjarjen e rëndë të helmimit të 70 fëmijëve të kopshtit publik të Gramshit njofton se e ka marrë vesh në rrjetet sociale.”
Sipas Qëndresës Qytetare, kompania “Nelsa shpk” ka fituar tenderin për furnizimin me ushqime të kopshteve dhe çerdheve në bashkinë e Gramshit që prej qershorit 2023.
Për këtë arsye, organizata kërkon pezullimin e menjëhershëm të licencës së saj, derisa të zbardhen të gjitha rrethanat e ngjarjes.
“Në kushtet kur ka nisur hetimi për rastin konkret, kësaj kompanie duhet urgjentisht t’i pezullohet licenca deri në sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë”, thuhet në reagim.
Qëndresa Qytetare gjithashtu i bën thirrje institucioneve për transparencë maksimale dhe fton prindërit të reagojnë me protestë, duke theksuar: “Shëndeti i fëmijëve të tyre nuk mund të jetë në mëshirë të babëzisë.”
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik, ndërsa hetimet për helmimin masiv janë ende në zhvillim.