Vendosni fjalën kyçe....

12 të vrarë nga një valë e re sulmesh ajrore ruse në Ukrainë


Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në Ukrainë pas një vale të re sulmesh me raketa dhe dronë nga Rusia gjatë natës së kaluar, kanë bërë të ditur autoritetet rajonale dhe shërbimet emergjente.

Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës (DSNS), tre fëmijë u vranë në Zhytomyr, në perëndim të Kievit, ndërsa një burrë rreth të 70-ave u vra në qytetin jugor të Mykolajivit.

Në rajonin e Kievit, katër persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën, përfshirë tre fëmijë, sipas BBC.

Sulmet ndodhën një ditë pas një prej bombardimeve më të rënda që ka përjetuar kryeqyteti ukrainas që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022.

Të shtunën, 13 persona u vranë në të gjithë vendin, ndërkohë që përpjekjet diplomatike për paqe kanë sjellë vetëm shkëmbime të të burgosurve, pa ndonjë përparim konkret drejt një armëpushimi.

Forcat ajrore të Ukrainës njoftuan se kishin rrëzuar 45 raketa lundrimi dhe neutralizuar 266 dronë nga ora 20:40 (me orën lokale) të shtunën deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Goditje u regjistruan në 22 rajone, ndërsa mbeturinat e raketave dhe dronëve të rrëzuar ranë në 15 zona.

Në rajonin e Khmelnytskyit, guvernatori Serhiy Tyurin njoftoi se katër persona humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën. Ai shtoi se gjashtë shtëpi private u shkatërruan dhe 20 të tjera u dëmtuan.

Në Kiev, zyrtarët lokalë raportuan 11 të plagosur, zjarre të shumta dhe dëme në ndërtesa banimi, përfshirë një konvikt. Qindra qytetarë u strehuan në stacionet nëntokësore të metrosë. Sulmet ndodhën në prag të festës vjetore të qytetit, “Dita e Kievit”, që mbahet të dielën.

Në Zhytomyr, DSNS njoftoi se tre fëmijë të moshave 8, 12 dhe 17 vjeç u vranë, 10 persona u plagosën dhe disa shtëpi private u shkatërruan ose u dëmtuan.

Në Mykolajiv, trupi i një burri të moshuar u nxor nga rrënojat e një ndërtese pesëkatëshe të goditur nga një dron, ndërsa pesë persona të tjerë u plagosën. Tre të plagosur u raportuan edhe në rajonin e Kharkivit.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se dronët ukrainas kishin shënjestruar tetë rajone të Rusisë. Sipas autoriteteve ruse, mbrojtja ajrore kishte rrëzuar 95 dronë gjatë natës.

Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, tha se 12 dronë u rrëzuan në drejtim të kryeqytetit rus.

Në rajonin e Tulës, mbetjet e një droni ranë në oborrin e një ndërtese banimi, duke thyer disa dritare, por fatmirësisht pa shkaktuar viktima.

Këto zhvillime ndodhën ndërkohë që Rusia dhe Ukraina po kryejnë shkëmbime të mëdha të të burgosurve. Të premten, të dy vendet shkëmbyen nga 390 ushtarë dhe civilë secili – shkëmbimi më i madh që nga fillimi i luftës.

Të shtunën, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi kthimin në atdhe të 307 të burgosurve të tjerë ukrainas.

Të dyja palët kanë rënë dakord për të shkëmbyer nga 1,000 të burgosur secila, dhe një tjetër shkëmbim pritet të ndodhë të dielën.

Këto shkëmbime pasuan bisedimet e para ballë për ballë mes delegacioneve të dy vendeve në më shumë se tre vjet, të zhvilluara në Turqi.

Më herët gjatë javës, presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një telefonatë dy-orëshe me presidentin rus Vladimir Putin, në të cilën diskutuan një propozim amerikan për armëpushim në Ukrainë.

Trump deklaroi se telefonata shkoi “shumë mirë” dhe se negociatat për një marrëveshje paqeje do të fillojnë “menjëherë”.

Megjithatë, Putin ka thënë vetëm se Rusia do të punojë për hartimin e një “memorandumi” për një “paqë të mundshme”, por nuk ka pranuar një armëpushim 30-ditor të propozuar nga SHBA.