
Dy anëtarë të stafit të ambasadës izraelite në Uashington u qëlluan për vdekje mbrëmjen e së mërkurës, teksa po largoheshin nga një aktivitet në një muze hebraik. Sipas policisë, autori i dyshuar bërtiti “Liri, Palestinë e lirë” në momentin e arrestimit.
Viktimat, një burrë dhe një grua, ishin pjesë e një grupi prej katër personash që po dilnin nga Muzeu Hebraik i Kryeqytetit kur autori u afrua dhe hapi zjarr, bëri me dije Shefja e Policisë Metropolitane, Pamela Smith, gjatë një konference për shtyp.
Autori, i identifikuar si Elias Rodriguez, 30 vjeç, me banim në Çikago, ishte parë duke ecur pranë muzeut pak para të shtënave. Pas sulmit, ai hyri brenda ambienteve të muzeut dhe u ndalua nga stafi i sigurisë së eventit.
Në momentin që u vu në pranga, Rodriguez nisi të thërriste “Palestina e lirë, e lirë”, tha Smith. Ajo shtoi se, sipas vlerësimeve fillestare, nuk ka një kërcënim të menjëhershëm apo të vazhdueshëm për komunitetin.
Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, deklaroi se ndodhej në vendin e ngjarjes bashkë me ish-gjyqtaren Jeanine Pirro, e cila aktualisht shërben si prokurore federale në Uashington. Zyra e saj do të marrë përsipër ndjekjen penale të çështjes.
Ish-presidenti Donald Trump reagoi ashpër ndaj ngjarjes përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkroi:
“Këto vrasje të tmerrshme në Uashington D.C., të bazuara padyshim në antisemitizëm, duhet të marrin fund, TANI! Urrejtja dhe radikalizmi nuk kanë vend në SHBA. Ngushëllime familjeve të viktimave. Sa e trishtueshme që gjëra të tilla mund të ndodhin! Zoti ju bekoftë të GJITHËVE!”
Ndërkohë, presidenti izraelit, Isaac Herzog, u shpreh i tronditur nga sulmi, duke e cilësuar si një akt të neveritshëm urrejtjeje dhe antisemitizmi.
“Ky është një akt i neveritshëm urrejtjeje, antisemitizmi, i cili ka marrë jetën e dy punonjësve të rinj të ambasadës izraelite. Zemrat tona janë me familjarët e viktimave dhe lutjet tona janë për të plagosurit. I dërgoj mbështetjen time të plotë ambasadorit dhe gjithë stafit të ambasadës,” deklaroi Herzog./AP