
Një kërkesë zyrtare është drejtuar Ministrit të Financave, Petrit Malaj për hetim administrativ mbi emërimet e dyshuara të paligjshme dhe konfliktin e interesit në Komisionin e Provimeve të Aftësive Profesionale (KPAP).
Në dokumentin e dorëzuar, theksohet se emërimi i zotit Bujar Bendo si Kryetar i KPAP më 15 nëntor 2025 është kryer pa ndonjë propozim zyrtar nga Ministria e Financave, duke shkelur procedurat ligjore. Për më tepër, është denoncuar edhe zëvendësimi i tij si anëtar me znj. Ilda Duhanxhiu, që sipas kërkesës është bërë në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me ligjin.”
Në kundërshtim me parashikimet e nenit përkatës të ligjit, i cili përcakton se Kryetari i KPAP-së emërohet nga Bordi me propozim të Ministrit të Financave, më datë 15.11.2025 është konstatuar emërimi i z. Bujar Bendo në këtë funksion, pa praninë e ndonjë propozimi të protokolluar nga ana juaj. Ky veprim përbën shkelje të qartë të parimeve të procedurës ligjore dhe përbën precedent të rrezikshëm në funksionimin e institucioneve mbikëqyrëse.
Me shqetësim vëmë në dukje se para këtij emërimi, z. Bendo ka qenë anëtar i KPAP-së. Pas emërimit të tij të paligjshëm si Kryetar, vendi i tij si anëtar është zëvendësuar nga znj. Ilda Duhanxhiu, në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me procedurat e parapara. Kjo përbërje është miratuar në bazë të një vendimi të parapërgatitur nga BMP, bazuar në një propozim të njëanshëm të Institutit të Ekspertëve Kontabël (IEKA). “
Kërkesa ngre shqetësime për rikonfirmimin e të njëjtës përbërje të KPAP-së nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike, duke shkelur parimet e transparencës dhe meritokracisë, përkundër denoncimeve për abuzime dhe konflikte interesi ndaj disa anëtarëve.
Në kërkesë kërkohet edhe nisja e një hetimi të brendshëm dhe të pavarur mbi dyshimet për falsifikim dokumentacioni, konflikt interesi dhe korrupsion në strukturat e provimeve.
“Për sa më sipër, kërkojmë nga ana juaj:
Nisjen e një hetimi të brendshëm dhe të pavarur mbi dyshimet për falsifikim dokumentacioni, konflikt interesi dhe korrupsion në strukturat e provimeve.”
Gjithashtu kërkohet ndërprerja e menjëhershme e çdo veprimi që synon ndikimin në përbërjen e strukturave drejtuese të Institutit të Ekspertëve Kontabël dhe Auditorëve (IEKA) përmes presionit dhe ndërhyrjes së Bordit të Mbikëqyrjes Publike.
“Ndërprerjen e menjëhershme të çdo veprimi që ka për qëllim ndikimin në përbërjen e strukturave drejtuese të IEKA përmes presionit dhe ndërhyrjes së BMP-së, që synon sigurimin e kontrollit të brendshëm institucional në funksion të interesave personale dhe jo të profesionit.”
Dokumenti thekson se këto veprime synojnë sigurimin e kontrollit të brendshëm institucional në favor të interesave personale, duke cenuar integritetin dhe transparencën e profesionit.
Kërkesa:
Drejtuar: Z. Ministrit të Financave
Lënda: Kërkesë për hetim administrativ mbi emërimet e paligjshme dhe konfliktin e interesit në Komisionin e Provimeve të Aftësive Profesionale (KPAP)
I nderuar Z. Ministër,
Në vijim të shqetësimeve të përsëritura që lidhen me përbërjen dhe funksionimin e Komisionit të Provimeve (KPAP), ju drejtohemi me qëllim verifikimin e situatës së krijuar lidhur me përbërjen dhe funksionimin e Komisionit të Provimeve (KPAP) dhe verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të ndërmarra nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike në këtë drejtim.
Në kundërshtim me parashikimet e nenit përkatës të ligjit, i cili përcakton se Kryetari i KPAP-së emërohet nga Bordi me propozim të Ministrit të Financave, më datë 15.11.2025 është konstatuar emërimi i z. Bujar Bendo në këtë funksion, pa praninë e ndonjë propozimi të protokolluar nga ana juaj. Ky veprim përbën shkelje të qartë të parimeve të procedurës ligjore dhe përbën precedent të rrezikshëm në funksionimin e institucioneve mbikëqyrëse.
Me shqetësim vëmë në dukje se para këtij emërimi, z. Bendo ka qenë anëtar i KPAP-së. Pas emërimit të tij të paligjshëm si Kryetar, vendi i tij si anëtar është zëvendësuar nga znj. Ilda Duhanxhiu, në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me procedurat e parapara. Kjo përbërje është miratuar në bazë të një vendimi të parapërgatitur nga BMP, bazuar në një propozim të njëanshëm të Institutit të Ekspertëve Kontabël (IEKA).
Situata rëndohet më tej nga fakti se, pas përfundimit të mandatit të anëtarëve të KPAP-së, Bordi i Mbikëqyrjes Publike ka vendosur rikonfirmimin e së njëjtës përbërje në bllok, një praktikë pa precedent në historinë e institucioneve shqiptare të tranzicionit, që bie ndesh me çdo parim të transparencës, meritokracisë dhe qeverisjes së mire. Kjo ka ndodhur pavarësisht ekzistencës së shqetësimeve serioze publike dhe denoncimeve të përsëritura mbi abuzime financiare dhe konflikte interesi që rëndojnë mbi disa prej anëtarëve aktualë.
Veçanërisht shqetësues është fakti që, për znj. Ilda Duhanxhiu, është ndjekur një procedurë formale propozimi – megjithëse në mënyrë të manipuluar – ndërsa për z. Bendo, kjo nuk ka ndodhur. Kjo diferencë e qëllimshme i shërben një skeme të ndërtuar për të mbajtur kontrollin e procesit të provimeve në mënyrë të centralizuar dhe të njëanshme nga z. Dritan Fino, nëpërmjet një rrjeti të strukturuar marrëdhëniesh dhe ndikimesh personale.
Arsyeja është e qartë: nëse ju, Z. Ministër, do të kishit ushtruar kompetencën tuaj ligjore dhe do të kishit propozuar një tjetër kandidat për Kryetar të KPAP-së, skema e provimeve e kontrolluar nga Kryetari i Bordit z. Dritan Fino, i mbështetur nga persona të manipuluar, nuk do të kishte mundësi funksionimi.
Nga informacionet rezulton se kjo strukturë funksionon si një rreth i mbyllur dhe i kontrolluar, me synim sigurimin e vazhdimësisë së një sistemi që, sipas raportimeve të shumta, përfitojnë përmes abuzimeve me licencimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve.
Në këtë kontekst, bëhet e qartë se kryetari i IEKA-së ka shërbyer si një ndërmjetës i i Kryetarit të Bordit, z. Dritan Fino, dhe Kryetarit të Komisionit të Provimeve, z. Bujar Bendo. Është vetë z. Fino dhe z. Bendo që kanë pranuar, në mënyrë të përsëritur, se kontabilistët dhe audituesit e rinj po largohen nga Shqipëria ose po braktisin profesionin. Po largohen pikërisht sepse nuk përballojnë dot presionin e ryshfeteve dhe përqendrimin ekstrem të auditimeve në disa pak shoqëri të mbështetura nga personat në fjalë dhe me strukturat që ata kontrollojnë.
Në vend që këto shqetësime të adresoheshin nga institucioni, është ndjekur strategjia e relativizimit të problemit nëpërmjet disa publikimeve të koordinuara në të njëjtën ditë në media Monitor, të cilat ofrojnë zgjidhje të sipërfaqshme dhe shmangin analizën e shkaktarëve të vërtetë të situatës që vetë autorët e problemeve janë pozicionuar si aktorë të zgjidhjes.
Në mungesë të reflektimit të nevojshëm, është orientuar vëmendja drejt tregjeve jashtë Shqipërisë, përfshirë Kosovën, me qëllim ruajtjen e skemës aktuale financiare. Ashtu siç çakalli, pasi ka shteruar çdo burim në territorin e vet dhe nuk gjen më prenë për të mbijetuar, detyrohet të endet përtej kufijve në kërkim të një terreni të ri për grabitje, po njësoj është zhvendosur edhe vëmendja e strukturave të përfshira drejt Kosovës – në një përpjekje të qartë për të mbajtur në këmbë skemën e njëjtë të përfitimeve, në një treg ku ende nuk janë konsumuar mundësitë për shfrytëzim. Ryshfeti arrin deri ne 50,000 euro për auditues.
Marrëveshja e bashkëpunimit, e nënshkruar nga Kryetari aktual i Këshillit të Drejtimit të IEKA-s, e paraqitur në dukje si një akt formal bashkëpunimi institucional, në të vërtetë është një dokument i diktuar nga z. Dritan Fino dhe z. Bujar Bendo, pas disa takimeve të zhvilluara në mënyrë të njëanshme dhe jashtë çdo transparence në Kosovë. Qëllimi i vërtetë i kësaj marrëveshjeje nuk është avancimi i profesionit, por lejimi i hyrjes të audituesve të Kosovës në tregun shqiptar, një përmbytje të tregut me licenca për qëllime financiare të qarta, dhe në këtë mënyrë vazhdimi i një skeme të centralizuar dhe të korruptuar që kanë ngritur për të mbajtur jashtë vëmendjes së medias dhe institucioneve shqiptare skemën financiare dhe përfitimet personale.
Si rezultat i kësaj skeme, audituesit, kontabilistët dhe firmat e vogla ndodhen përballë një mjedisi të pabarabartë konkurrues, i cili i shtyn drejt largimit nga tregu apo emigrimit, ndërkohë që një numër shumë i kufizuar përfituesish fiton nga përqendrimi dhe klientelizmi i krijuar rreth pushtetit të zotërinjve Dritan Fino dhe Bujar Bendo.
Gjithashtu, janë ngritur shqetësime të besueshme lidhur me përpjekjet për të ushtruar ndikim në përbërjen e Këshillit të Drejtimit të IEKA-s, përmes organizimit të zgjedhjeve të parakohshme me qëllim shkarkimin e anëtarëve aktualë para përfundimit të mandatit të tyre. Synimi është vendosja në krye të personave të kontrolluar nga z. Fino, i cili, në rast të mos rizgjedhjes së paligjshme në Bord, po përgatit terrenin për rikthimin si Drejtor Ekzekutiv i IEKA-s. Meqenëse një pjesë e anëtarëve aktualë kontrollohen prej tij, z. Fino mund të vazhdojë të ushtrojë ndikim dhe të qëndrojë në detyrë edhe me këtë Këshill, por duke qenë se mandati i tyre përfundon së shpejti, me anëtarë të rinj të Këshillit të Drejtimit që nuk i kontrollon dot, periudha e qëndrimit të tij si drejtor do të ishte shumë e shkurtër. Anëtarët e rinj të Këshillit të Drejtimit pritet të jenë persona të përzgjedhur nga z. Fino dhe z. Bendo, duke transformuar institutin për interesa financiare.
Ky është edhe shkaku i vendimit të Bordit për vendosjen e mbi 100 audituesve në kontrolle të njëpasnjëshme brenda një periudhe të shkurtër kohore (shumicën e asamblesë së përgjithshme të IEKAs), me qëllim ushtrimin e presionit, kontrollimin e votës dhe sigurimin e përfitimeve përmes shantazhit dhe korrupsionit të drejtpërdrejtë.
Për sa më sipër, kërkojmë nga ana juaj:
Verifikimin e ligjshmërisë së emërimit të z. Bujar Bendo si Kryetar i KPAP-së, si dhe të gjithë anëtarëve të rinj të komisionit.
Verifikimin e çdo akti administrativ, dokumentacioni mbështetës dhe procedurash vendimesh që lidhen me përbërjen e KPAP-së pas datës 15 nëntor 2025.
Nisjen e një hetimi të brendshëm dhe të pavarur mbi dyshimet për falsifikim dokumentacioni, konflikt interesi dhe korrupsion në strukturat e provimeve.
Ndërprerjen e menjëhershme të çdo veprimi që ka për qëllim ndikimin në përbërjen e strukturave drejtuese të IEKA përmes presionit dhe ndërhyrjes së BMP-së, që synon sigurimin e kontrollit të brendshëm institucional në funksion të interesave personale dhe jo të profesionit.
Në pritje të reagimit tuaj institucional dhe në përmbushje të kompetencave ligjore,
Ju falënderojmë për vëmendjen dhe angazhimin në ruajtjen e ligjshmërisë dhe integritetit të sistemit financiar.
Me respekt,
A.Kolshi