Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhet seanca për çështjen e sterilizimit, Rjepaj: Prej 19 vitesh paragjykime, s’është lejuar debat profesional


Seanca gjyqësore për çështjen e sterilizimit, ku një ndër të pandehurit kryesorë është Klodian Rjepaj, u ndërpre sot për shkak të mungesës së avokatit të tij, i cili mungoi për arsye familjare. Gjykata vendosi që seanca të shtyhet më 28 maj.

Në një deklaratë të gjatë para trupit gjykues, Rjepaj u shpreh se kjo çështje është trajtuar për gati dy dekada me paragjykime të vazhdueshme dhe nuk është lejuar të zhvillohet një debat i mirëfilltë profesional.
“Ne jemi këtu për një procedurë që ka gati 19 vite që diskutohet, paragjykohet, akuzohet dhe në asnjë rast kjo çështje nuk është lejuar të debatohet shkencërisht, por është debatuar në mënyrë folklorike, mediatike dhe politike,” deklaroi ai.

Sipas tij, vendimet gjyqësore të deritanishme nuk kanë qenë të paanshme dhe kanë reflektuar një qasje të njëanshme ndaj të gjithë procesit. “Deri më sot çdo vendim gjykate ka treguar paragjykim ndaj kësaj çështjeje,” u shpreh Rjepaj.

Ai vijoi më tej duke thënë se projekti i sterilizimit është keqinterpretuar dhe devijuar qëllimisht:
“Projekti i Sterilizimit është një devijim nga projekti i vërtetë. Është devijim i qëllimshëm për të bërë persekutim. Nuk ekziston projekti i Sterilizimit. Të gjithë elementët në kallëzim nuk përputhen me elementët e projektit,” tha ai.

Rrjepaj këmbënguli se akuza është ndërtuar mbi fakte të pavërteta dhe se mjekët dhe stafet që kanë punuar në këtë shërbim meritojnë trajtim të drejtë dhe jo linçim publik:
“Në respekt të kirurgëve dhe stafeve mjekësore që janë ndihmuar nga ky shërbim, duhet bërë një debat mirëfilli,” theksoi ai.

Ai shtoi gjithashtu se nuk është shqyrtuar seriozisht fakti që “akt-padia e bërë nga Nisma Thurje është e rreme, mbi fakte të pavërteta.”

Procesi gjyqësor pritet të vijojë më 28 maj, ku pritet që mbrojtja e të pandehurit të paraqesë qëndrimet e saj për akuzat që rëndojnë mbi të.