
Partia Demokratike ka dorëzuar në Shtetet e Bashkuara një raport të detajuar mbi shkeljet e pretenduara gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, duke akuzuar qeverinë për përfshirje të grupeve kriminale, keqpërdorim të administratës publike dhe shkelje të lirive themelore. Dokumenti, i regjistruar më 16 maj pranë Departamentit të Drejtësisë të SHBA, u dorëzua përmes kompanisë lobuese “Continental Strategy”.





Në raport, PD përmend emra konkretë të personave me precedentë penalë që sipas saj u përfshinë në fushatë në mbështetje të Partisë Socialiste, përfshirë Suel Çelën në Elbasan, Vincent Tukun në Lezhë, si dhe anëtarë të grupeve Bajri dhe Xhabafti në Shkodër dhe Vorë. “Zgjedhjet e 11 majit përfaqësojnë majën e kapjes së shtetit nga forcat kriminale dhe autokratike”, thuhet në dokument.
PD kritikon gjithashtu shpërndarjen e bonusit për pensionistët pak para votimeve, legalizimin e kanabisit, rritjen e punësimeve në administratë dhe organizimin e eventeve propagandistike si Giro d’Italia, për të cilat qeveria shpenzoi miliona euro. Një tjetër shqetësim i ngritur është “sistemi i patronazhit”, që sipas PD-së, përdori nëpunës civilë për të mbikëqyrur dhe ndikuar mbi votuesit, përmes presionit dhe keqpërdorimit të të dhënave personale.
Raporti ngre akuza edhe për përfshirjen e ish-oficerëve të Sigurimit të Shtetit, të cilët, sipas opozitës, u rikthyen në terren për të ndikuar mbi elektoratin përmes frikësimit.
PD fajëson gjithashtu mediat, të cilat i konsideron të kapura nga qeveria, si dhe mbylljen e TikTok-ut para fushatës, duke e cilësuar si akt censurues.
Në përfundim, opozita kërkon:
- Hetim ndërkombëtar për zgjedhjet e 11 majit
- Formimin e një qeverie teknike për garantimin e zgjedhjeve të lira
- Mbrojtjen e lirisë së medias dhe pluralizmit të informacionit
- Angazhim të vazhdueshëm të organizatave ndërkombëtare në mbikëqyrjen e demokracisë në Shqipëri
PD thekson se gjetjet e saj përputhen me vërejtjet e OSBE/ODIHR-it, duke paralajmëruar pasoja serioze për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian nëse situata nuk ndryshon.