
Maqedonia e Veriut pritet të bëhet vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që nënshkruan një marrëveshje për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar. Marrëveshja, me vlerë rreth 6 miliardë euro, do të nënshkruhet të enjten në Londër nga një delegacion i Qeverisë maqedonase i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolovski.
Marrëveshja synon të mbështesë zhvillimin e projekteve madhore të infrastrukturës në fusha si transporti, shëndetësia, energjia, teknologjia dhe transformimi digjital. Kryeministri Hristijan Mickoski e cilësoi këtë marrëveshje si “historike”, duke theksuar se do të hapë një cikël investimesh që do të sjellë zhvillim të madh në vend. Ndërtimi i korridorit hekurudhor 10, spitale të reja dhe konvikte studentore janë ndër projektet që pritet të realizohen.
Nga shuma totale e marrëveshjes, 2.2 miliardë euro do të tërhiqen gjatë pesë viteve të para, ndërsa fondet e para parashikohen të jenë të disponueshme deri në fund të verës. Sipas ministrisë së Financave, kthimi i këtyre kredive pritet të jetë me kushte shumë të favorshme dhe nën normën e inflacionit. Qeveria ka siguruar se borxhi publik nuk do të tejkalojë nivelin kritik prej 60 për qind të PBB-së.
Marrëveshja ka ardhur si rezultat i një takimi mes kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski dhe homologut britanik Keir Starmer në margjinat e samitit në Tiranë më 16 maj. Ajo vjen në një kohë kur Britania është investitori i dytë më i madh në Maqedoninë e Veriut dhe synon të thellojë bashkëpunimin në fusha të shumta strategjike.
Megjithatë, hollësitë e plotë të marrëveshjes ende nuk janë bërë publike, gjë që ka ngjallur kritika nga opozita. Kryetari i Aleancës Social Demokrate, Venko Filipce, tha se është e domosdoshme të dihen të gjitha detajet e marrëveshjes për të garantuar transparencë, për shkak të përmasave të mëdha financiare që ajo përfshin.
Nga ana tjetër, autoritetet maqedonase dhe britanike mohojnë kategorikisht se marrëveshja përfshin pranimin e emigrantëve të refuzuar nga azili në Britani. Kryeministri Mickoski i quajti këto spekulime të pavërteta dhe theksoi se asnjëherë nuk është diskutuar për një gjë të tillë. Edhe ambasadori britanik në Shkup, Matthew Lawson, theksoi se bashkëpunimi në fushën e emigracionit do të fokusohet në luftën kundër rrjeteve kriminale dhe shkëmbimin e informacionit të inteligjencës.
Zëvendëskryeministri Nikolovski do të zhvillojë takime të tjera në Londër, përfshirë edhe me ministren britanike për Sigurinë Kufitare dhe Azilin, Angela Eagle, për të diskutuar aspektet e bashkëpunimit të mëtejshëm.
Qeveria njoftoi se kompanitë vendase pritet të përfshihen në masë të madhe në realizimin e projekteve të infrastrukturës, me një përfshirje deri në 70 për qind, ndërsa punimet në terren mund të nisin në fillim të tetorit.