Vendosni fjalën kyçe....

Lufta në Gaza në qendër të samitit të Ligës Arabe në Bagdad


Udhëheqësit e vendeve arabe pritet të mblidhen sot në Bagdad, në kuadër të samitit vjetor të Ligës Arabe, me konfliktin në Gaza që do të dominojë axhendën e diskutimeve.

Në samitin emergjent të mbajtur në mars në Kajro, udhëheqësit arabë miratuan një plan për rindërtimin e Rripit të Gazës, duke theksuar domosdoshmërinë që afro 2 milionë banorët e zonës të mos zhvendosen.

Takimi në Bagdad zhvillohet në një moment tensionesh të rritura, vetëm dy muaj pas përfundimit të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit. Sulmet ajrore izraelite janë intensifikuar gjatë ditëve të fundit, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu është zotuar për një ofensivë të re me qëllim shkatërrimin e Hamasit.

Samiti po mbahet në sfondin e vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në rajon më herët gjatë javës, një turne që ndonëse nuk solli një marrëveshje të re për armëpushim, tërhoqi vëmendje për shkak të takimit të tij me presidentin e ri të Sirisë, Ahmad al-Sharaa. Ky i fundit, dikur i përfshirë në luftime kundër forcave amerikane në Irak, u prit me polemika pas premtimeve të Trump për të hequr sanksionet ndaj Sirisë.

Megjithatë, al-Sharaa nuk merr pjesë në samitin e Bagdadit, ku delegacioni sirian përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Asaad al-Shibani. Prania e al-Sharaa u kundërshtua nga disa milici shiite dhe fraksione politike në Irak, për shkak të së kaluarës së tij si militant sunit./AP