
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do të zhvillojë një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin të hënën, me qëllimin për të ndalur luftën në Ukrainë. Sipas një postimi në platformën Truth Social, Trump tha se telefonata do të zhvillohet në orën 10:00 të mëngjesit me orën amerikane (14:00 GMT), dhe do të fokusohet në “ndalimin e ‘gjakderdhjes’”.
Pas kësaj telefonate, Trump tha se do të flasë gjithashtu me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe me disa liderë të vendeve anëtare të NATO-s, përcjell BBC.
Deklarata e tij vjen pasi Ukraina dhe Rusia nuk arritën ndonjë përparim të dukshëm në takimin e tyre të parë ballë për ballë pas tre vitesh, të zhvilluar të premten në Stamboll. Megjithatë, të dyja palët ranë dakord për një shkëmbim të të burgosurve.
Trump kishte ofruar të merrte pjesë në bisedimet në Turqi nëse edhe Putin do të merrte pjesë, por presidenti rus nuk e pranoi këtë ftesë.
Në një tjetër koment të bërë të enjten, Trump sugjeroi se përparimi i vërtetë në përpjekjet për paqe do të ndodhte vetëm nëse ai dhe Putin do të takoheshin personalisht. “Shpresoj që të jetë një ditë produktive, të vendoset një armëpushim dhe kjo luftë shumë e dhunshme, një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë, të marrë fund,” shkroi Trump të shtunën.
Nga ana tjetër, liderët e NATO-s kanë kërkuar prej kohësh që Rusia të pranojë një armëpushim 30-ditor në konfliktin me Ukrainën. Pas bisedimeve në Stamboll, Ukraina përsëriti thirrjen për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar.
Kreu i delegacionit rus, këshilltari i Putinit, Vladimir Medinsky, deklaroi se pala ruse ishte e kënaqur me ecurinë e bisedimeve dhe e gatshme për të vijuar kontaktet.
Megjithatë, disa orë më vonë, një dron rus goditi një autobus pasagjerësh në rajonin e Sumit, duke vrarë nëntë persona. Presidenti ukrainas Zelensky reagoi menjëherë, duke kërkuar sanksione më të ashpra ndaj Moskës dhe e cilësoi sulmin si një “vrasje të qëllimshme të civilëve”.
Rusia nuk ka komentuar mbi incidentin, megjithëse mediat shtetërore raportuan se forcat ruse kishin goditur një “zonë të grumbullimit ushtarak” në rajonin e Sumit.
Kujtojmë se Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.