Vendosni fjalën kyçe....

Trump në Lindjen e Mesme, vizitë në bazën ushtarake amerikane në Katar


Presidenti Donald Trump po zhvillon një turne katër-ditor në shtetet e Gjirit, ku të enjten do të vizitojë një bazë ushtarake amerikane në Katar një simbol i pranisë së gjatë dhe të diskutueshme të SHBA në Lindjen e Mesme. Gjatë kësaj vizite, Trump ka theksuar synimin për të shmangur “ndërhyrjen e tepruar” të Amerikës në çështjet e rajonit, një qëndrim që bie në kontrast me politikat e mëparshme amerikane.

Presidenti amerikan pritet t’u drejtohet trupave në Bazën Ajrore al-Udeid  një pikë strategjike për operacionet ushtarake amerikane në Irak, Afganistan dhe së fundmi në fushatën ajrore kundër rebelëve Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen.

 Trump do të marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët me drejtues të lartë të biznesit, përfshirë përfaqësues nga Boeing, GE Aerospace dhe Al Rabban Capital, duke promovuar mundësitë ekonomike në rajon.

Më pas, ai do të udhëtojë drejt Abu Dhabit në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të vizitojë Xhaminë e Madhe Sheikh Zayed, një monument simbolik i vendit. Aty do të pritet në një ceremoni shtetërore nga Presidenti i Emirateve, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, në pallatin mbretëror Qasr Al Watan.

Gjatë këtij udhëtimi, Trump njoftoi gjithashtu planet për të njohur qeverinë e Presidentit sirian Ahmad al-Sharaa dhe për të lehtësuar sanksionet ndaj Sirisë. Ky është një zhvillim i madh, duke pasur parasysh se SHBA kishte ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kapjen e al-Sharaa, një figurë dikur e lidhur me al-Kaidën dhe e burgosur nga trupat amerikane në Irak.

Trump e përshkroi al-Sharaa-n si një “djalë të ri, të fortë dhe tërheqës”, duke treguar një qasje të re të administratës së tij ndaj Damaskut – një kthesë e madhe nga qëndrimi i mëparshëm i Uashingtonit ndaj regjimit sirian./AP