Vendosni fjalën kyçe....

Rama për luftën në Ukrainë: Shqipëria në anën e vendeve demokratike, nuk na merr malli për Moskën


Kryeministri Edi Rama ka riafirmuar qëndrimin e Shqipërisë në raport me luftën në Ukrainë dhe pozicionimin e saj strategjik në krah të aleatëve perëndimorë. Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin britanik Keir Starmer, Rama u shpreh qartë se Shqipëria qëndron pa mëdyshje në anën e vendeve demokratike dhe se nuk ka asnjë interes për të zhvilluar marrëdhënie me Rusinë.

“Që nga ndryshimi i regjimit 35 vjet më parë, asnjë president apo kryeministër rus nuk ka vizituar Shqipërinë dhe asnjë lider shqiptar nuk ka shkuar në Moskë. Nuk na merr malli dhe nuk po kërkojmë ta ndryshojmë këtë,” u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe pjesë e projektit evropian, është e përkushtuar në mbrojtjen e lirive, vlerave demokratike dhe paqes. Ai vlerësoi vendin tonë si pjesë e një hapësire të privilegjuar të qytetërimit perëndimor.

“Edhe pse Shqipëria nuk ka fuqinë e vendeve të mëdha për të ndikuar në mënyrë madhore, jemi të bekuar që jemi pjesë e kontinentit të iluminizmit, ku lindi ëndrra për paqe të përhershme. Europa është një projekt i ndërtuar mbi këtë vizion,” shtoi ai.

Në fjalën e tij, Rama nënvizoi se përpjekja për paqe nuk është dobësi, por vlerë thelbësore e qytetërimit evropian, madje edhe kur kjo kërkesë duhet të bëhet “me barbarët”.

“Është ndonjëherë e padrejtë, por kjo është natyra e të qenit europian dhe pjesë e njerëzimit – që të kërkojmë paqe, edhe me barbarët,” përfundoi ai.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur Shqipëria ka qenë aktive diplomatikisht në mbështetje të Ukrainës dhe në dënimin e agresionit rus, si dhe ka mbajtur një linjë të qartë perëndimore në politikën e jashtme.