
Një incident është regjistruar këtë të martë në një qendër votimi në zonën e Kasharit, ku është raportuar dhunë ndaj sekretarit të KZAZ-së.
Përmes një deklarate për mediat, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, akuzoi vëzhguesit e maxhorancës si autorë të përplasjes. Ai e cilësoi ngjarjen si një “krim zgjedhor” dhe njoftoi se PD do ta referojë rastin në SPAK për hetim.
Sipas Këlliçit, ngjarja ishte e organizuar dhe synonte të intimidonte procesin zgjedhor. Ai shtoi se personat përgjegjës janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe se deri tani policia nuk ka ndërmarrë veprime konkrete.
“Ky është një akt i paprecedentë dhe ne do ndjekim penalisht të gjithë të përfshirët. Personi i dhunuar ka shkuar në polici dhe do bëhet denoncimi përkatës. Vëzhguesit që ushtruan dhunën janë të shpallur si ‘terroristë elektoralë’ nga ana jonë, dhe do të trajtohen si të tillë”, tha Këlliçi.
Grupi hetimor është njoftuar për incidentin, ndërsa pritet reagimi zyrtar i institucioneve për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë.