
Pas fitores së katërt radhazi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama ka marrë një sërë urimesh nga liderë të rëndësishëm ndërkombëtar.
Nga Franca, Italia, Spanja, Hungaria, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe deri në Ukrainë, mesazhet kanë qenë të përzemërta, duke e cilësuar fitoren e Partisë Socialiste si bindëse dhe duke rikonfirmuar mbështetjen për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe rolin e saj në çështjet ndërkombëtare.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka uruar Kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Macron e cilëson Ramën një “mik të dashur” dhe thekson mbështetjen e palëkundur të Francës për rrugëtimin europian të Shqipërisë.
“Urime @ediramaal, mik i dashur, për fitoren në zgjedhjet parlamentare. Franca do të jetë gjithmonë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
Takohemi që të premten në Samitin e Komunitetit Politik Evropian dhe gjatë një vizite që do të na ndihmojë të forcojmë edhe më shumë partneritetin tonë!” shkruan Macron
Félicitations @ediramaal, cher ami, pour ta victoire aux élections législatives.
La France sera toujours aux côtés de l’Albanie sur son chemin européen.
Nous nous retrouvons dès vendredi pour le Sommet de la Communauté politique européenne et pour une visite… pic.twitter.com/2Jc3aBGphI
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) May 14, 2025

Ndërkaq edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka uruar Kryeministrin shqiptar Edi Rama për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku Partia Socialiste siguroi një fitore të thellë duke i dhënë Ramës mandatin e katërt radhazi në krye të qeverisë.
Në mesazhin e saj, Meloni i shprehu Ramës urimet më të përzemërta për rikonfirmimin si kryeministër, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunimin strategjik mes Italisë dhe Shqipërisë.
Ajo nënvizoi se Italia do të vijojë të punojë me Shqipërinë për të forcuar marrëdhëniet mes dy qeverive dhe për të arritur objektiva të përbashkëta, përfshirë stabilitetin në Ballkan dhe avancimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.
“Do të doja t’i shprehja urimet e mia të përzemërta kryeministrit Edi Rama për rikonfirmimin e tij si kreu i qeverisë shqiptare.
Miqësia e thellë dhe bashkëpunimi strategjik që lidh dy kombet tona është forcuar më tej falë nismave të përbashkëta, rezultat i dialogut konstruktiv dhe një dëshire të përbashkët për t’iu përgjigjur sfidave globale me zgjidhje inovative.
Ne do të vazhdojmë të punojmë për të forcuar më tej lidhjen midis dy qeverive tona dhe për të arritur objektiva të përbashkëta, duke përfshirë forcimin e stabilitetit në Ballkan dhe avancimin e rrugës evropiane të Shqipërisë.”, thuhet në urimin e Melonit.

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan gjithashtu ka uruar kryeministrin e vendit për fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare.
Në mesazhin e tij, Sheikh Mohamed shprehu besim në rritjen e vazhdueshme të marrëdhënieve dypalëshe, duke pohuar se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Shqipëria do të vazhdojnë të punojnë së bashku.
“Urime të sinqerta Kryeministrit Edi Rama (@ediramaal) për rezultatin në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Marrëdhëniet mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë kanë njohur një zhvillim të fuqishëm vitet e fundit, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin dhe të nxisim më tej zhvillimin në dobi të vendeve dhe popujve tanë.”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka përgëzuar Edi Ramën dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë për fitoren e bindshme në zgjedhjet e fundit. Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky uroi Ramën për suksesin dhe vlerësoi pozicionin e fortë të Shqipërisë për paqen afatgjatë në Ukrainë, duke theksuar nevojën për një armëpushim të plotë dhe pa kushte si mënyrë për të arritur paqen.
“Shumë urime për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për fitoren bindëse në zgjedhje. Ju uroj sukses në shërbimin ndaj popullit shqiptar. Vlerësojmë pozicionin tuaj të qartë dhe të palëkundur për nevojën e paqes afatgjatë për Ukrainën që mund të arrihet përmes një armëpushimi të plotë dhe pa kushte. Shpresoj të forcojmë më tej marrëdhëniet miqësore mes vendeve tona për dobinë e të dy popujve tanë.”, shkruan Zelensky.
Congratulations to @ediramaal and the Socialist Party on the convincing victory in the elections. I wish you every success in serving the Albanian people.
We appreciate your clear and steadfast position on the need for lasting peace for Ukraine that can be achieved through a…
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) May 13, 2025

Edhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Sanchez përgëzoi Ramën për triumfin bindës të Partisë Socialiste.
“Urime Edi Rama për fitoren e fuqishme të Partisë Socialiste në zgjedhje.
Shqiptarët mbështesin shumicën e përpjekjeve për t’i hapur Shqipërisë rrugën për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Urime!”, shkruan Sanchez.
Felicidades, @ediramaal, por la contundente victoria del Partido Socialista en las elecciones.
Los albaneses respaldan mayoritariamente los esfuerzos para que Albania se sume a la Unión Europea.
Enhorabuena.
— Pedro Sánchez (@sanchezcastejon) May 13, 2025

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka uruar Edi Ramën për fitoren e PS në zgjedhjet e 11 majit.
Në një postim në “X”, Orban shkruan se kjo ishte një fitore bindëse.
Orban e cilësoi rezultatin si një fitore bindëse dhe shprehu entuziazëm për vizitën e tij në Shqipëri.
“Urime Kryeministrit Edi Rama për fitoren e tij bindëse në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë. I dashur Edi, mezi pres t’ju shoh këtë të premte në Tiranë në atë që mund të jetë një Samit historik i EPC-së”, shkruan Orban.
Congratulations to Prime Minister @ediramaal on his landslide victory in the Albanian parliamentary elections.
Dear Edi, looking forward to seeing you this Friday in Tirana at what may prove to be a historic EPC Summit.— Orbán Viktor (@PM_ViktorOrban) May 14, 2025

Nuk mungoi urimi edhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyn, e cila vlerëson edhe progresin që Shqipëria ka bërë nën drejtimin e tij në rrugën drejt integrimit europian.
“Urime për fitoren në zgjedhje! Nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria ka bërë përparime të mëdha drejt Bashkimit tonë. Le të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku për reformat drejt BE-së. Shqipëria e meriton të jetë në BE! Me padurim pres t’ju uroj personalisht nesër në Tiranë”, shkruan ajo.

Kryeministri britanik Keir Starmer e cilesoi fitoren si “historike” dhe shperhu vullnetin për të çuar përpara bashkëpunimin mes dy vendeve, duke u fokusuar te rezultatet konkrete për qytetarët.
“Urime @ediramaal për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë për të sjellë rezultate për njerëzit që punojnë në të dy vendet tona”, uron kryeministri britanik.

Urime erdhën edhe nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, i cili shprehu dëshirën për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit në kuadër të NATO-s.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren e mandatit të katërt.
“Urimet më të ngrohta, i dashur Edi Rama, për këto rezultate mbresëlënëse zgjedhore. Pres me padurim t’ju përgëzoj personalisht nesër në Tiranë”, shkroi Antonio Costa