Vendosni fjalën kyçe....

BE: Zgjedhje gjithëpërfshirëse dhe transparente në Shqipëri, por klima politike thellësisht e polarizuar – Integrimi mbetet objektiv strategjik


Bashkimi Europian ka vlerësuar se zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri janë zhvilluar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, duke përshëndetur organizimin e qetë të procesit në të gjithë vendin.

Në një deklaratë të përbashkët nga shefja e diplomacisë së jashtme, Kaja Kallas, dhe komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, BE përgëzon autoritetet për mbarëvajtjen e procesit dhe thekson për herë të parë përfshirjen e votës së diasporës.

“Qytetarët e Shqipërisë ushtruan të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe për të zgjedhur përfaqësuesit në Kuvend. Ne përgëzojmë të gjitha autoritetet përkatëse për zhvillimin normal të zgjedhjeve në të gjithë vendin,” thuhet në deklaratë.

Megjithatë, vëmendje e veçantë i është kushtuar klimës politike të thellësisht të polarizuar që ka shoqëruar procesin. Sipas BE-së, kandidatët patën mundësinë të zhvillonin fushatën e tyre në mënyrë të lirë, por disa raportuan për raste intimidimi dhe presioni ndaj votuesve, veçanërisht në administratën publike.

BE shpreh shqetësim për mungesën e kushteve të barabarta për kandidatët, përdorimin e burimeve shtetërore dhe ndikimin institucional që, sipas saj, mund të kenë favorizuar shumicën qeverisëse. Po ashtu, mbulimi mediatik vazhdon të favorizojë partitë kryesore, ndërsa transparenca mbi financimin e fushatës konsiderohet e kufizuar.

Një zhvillim pozitiv që nënvizohet nga BE është puna e bërë për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve zgjedhore, duke përfshirë edhe rolin e SPAK, i cili është përmendur edhe në raportin e OSBE/ODIHR si një faktor që ka kontribuar në efektin parandalues ndaj manipulimeve.

“Zgjedhjet në përgjithësi ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale. Megjithatë, u zhvilluan në një ambient të thellë polarizimi politik dhe me pretendime për ushtrim presioni ndaj votuesve. Pavarësia e medias vijon të mbetet problematike,” thuhet më tej në deklaratë.

Bashkimi Europian thekson se do të ndjekë me kujdes të gjitha zhvillimet zgjedhore deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve dhe i bën thirrje të gjitha forcave politike të garantojnë funksionimin normal të institucioneve.

BE rithekson se integrimi i Shqipërisë mbetet një objektiv strategjik kombëtar që kërkon përkushtim të vazhdueshëm në përmbushjen e reformave.

“Ne inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë me të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE, përfshirë miratimin e një reforme të mëtejshme zgjedhore që adreson rekomandimet e ODIHR. Procesi i integrimit është një përpjekje gjithëpërfshirëse që gëzon mbështetje të fortë nga qytetarët shqiptarë.”

Në përmbyllje, BE bën thirrje për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, duke theksuar rolin kyç që kanë të gjitha partitë politike, shoqëria civile dhe komunitetet lokale në avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit europian.