Vendosni fjalën kyçe....

Partia Demokratike denoncon shkelje ligjore nga kandidatja e PS, Kiduina Zaka


Partia Demokratike ka denoncuar kandidatën e Partisë Socialiste, Kiduina Zaka, për shkelje të ligjit zgjedhor gjatë fushatës elektorale. Sipas PD, Zaka ka përdorur faqen zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga Belinda Balluku, për të zhvilluar aktivitete fushatues, duke shkelur rregullat e përcaktuara nga ligji.

Në një deklaratë të publikuar, Partia Demokratike theksoi se Zaka ka shkelur periudhën e heshtjes zgjedhore, pasi ka përdorur faqen e ministrisë për të bërë fushatë gjatë kësaj periudhe, veprim që është në kundërshtim me nenin 77 të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon çdo aktivitet politik gjatë heshtjes zgjedhore.

Po ashtu, PD theksoi se ky është një shkelje e drejtpërdrejtë e nenit 91 të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon përdorimin e institucioneve shtetërore për fushata elektorale.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si çdo institucion tjetër shtetëror, nuk mund të shërbejë si platformë për fushata elektorale. Këto janë shkelje flagrante të ligjit, për të cilat organet ligjzbatuese duhet të reagojnë menjëherë,” – thuhet në deklaratën e PD-së.