
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka dhënë një mesazh të qartë për punonjësit e Policisë që do të angazhohen në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 11 majit: “Maturi, gjakftohtësi dhe ligji si udhërrëfyes.”
Paraditen e së shtunës, në ambientet e Drejtorive Vendore të Policisë (DVP), ka përfunduar instruktazhi me punonjësit e angazhuar për ruajtjen fizike të objekteve zgjedhore, ku do të zhvillohet votimi.
Në këto takime morën pjesë drejtuesit e Drejtorive dhe Komisariateve të Policisë, të cilët përcollën porositë e drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit.
Në qendër të tyre ishin angazhimi maksimal, profesionalizmi, barazlargimi politik dhe qëndrimi gjakftohtë në çdo situatë që mund të lindë gjatë procesit.
Drejtori Ilir Proda u shpreh:
“Ju përgëzoj për përkushtimin dhe profesionalizmin e deritanishëm nga ana juaj dhe e drejtuesve tuaj, dhe ju inkurajoj që këto ditë finale të jenë pasaportë besimi dhe vlerësimi nga qytetarët dhe ndërkombëtarët për Policinë e Shtetit. Maturi, gjakftohtësi dhe ligji si udhërrëfyes, për ta përmbushur me sukses këtë detyrë të shenjtë në interes të qytetarëve dhe të vendit.”
Të gjithë punonjësve të Policisë të angazhuar në këtë proces u është shpërndarë një libër xhepi i posaçëm me detyrat që ata duhet të përmbushin në këtë fazë finale. Ky material, prodhuar nga vetë Policia e Shtetit, përmban udhëzimet operative dhe rregulloret që duhet të ndjekin efektivët në terren.
Aktualisht, punonjësit e Policisë janë vendosur në objektet zgjedhore sipas planifikimit, për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e votimit të 11 majit.