Vendosni fjalën kyçe....

Luan Rama: Një pyetje për socialistët shqiptarë, kur ka qenë Partia Socialiste një bordello?! (Video)


Ish-deputeti i PS-së dhe ish-ministri socialist Luan Rama u ka drejtuar socialistëve shqiptarë një pyetje lidhur me deklaratën e mbrëmshme të kryeministrit Edi Rama mbrëmjen e djeshme se “Partia Socialiste ka qenë dikur një bordello.”

Teksa rendit emrat e shumë personaliteteve të dikurshme të PS-së, apo të atyre që janë ende në PS, Rama shkruan se PS-ja u ringrit edhe pas dhunës së dikurshme shtetërore, ringriti shtetin, madje ftoi Edi Ramën të bëhej ministër e më pas kryebashkiak.

Statusi i Ramës në Facebook

“Një pyetje për socialistët shqiptarë:

KUR KA QENË PARTIA SOCIALISTE NJË BORDELLO?!

Pa e menduar aspak fjalën që nxorri nga goja, siç në fakt ka bërë sa e sa herë kohëve të fundit, Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama tha në emisionin e Grida Dumës se “ …nuk është partia ajo që ka qenë Partia Socialiste dikur, një bordello…!”

Nuk dua të komentoj. As të futem në polemikë me bartësin e këtij mendimi nuk dua.

Por një pyetje e kam për të gjithë socialistët shqiptarë: kur ka qenë Partia Socialiste një bordello?

Mbi gjithë të tjerët, këtë pyetje e kam për bashkëkohësit e mi socialistë që prej themelimit të saj duke nisur me Fatos Nanon e Servet Pëllumbin, me Namik Doklen dhe Pandeli Majkon, me Arta Daden dhe Ermelinda Meksin, me Maqo Lakrorin, Et’hem Rukën, Petro Koçin, Makbuke Çeçon, Valentina Leskajn, Erion Braçen, Musa Ulqinin dhe gjithë të tjerët, emër për emër, që edhe pse u burgosën e u rrahën nga rregjimi i bandave me Sali Berishën President njësoj siç u rrah edhe vetë Edi Rama, nuk u trembën, nuk u tërhoqën, por luftuan dhe fituan.

Më thoni pra, kur paska qenë Partia Socialiste një bordello?!

Apo pasi erdhi në pushtet e ringriti shtetin e rënë nga e para, për t’iu bërë krah luftës së vëllezërve shqiptarë të UÇK-së për çlirimin e Kosovës?

Apo kur e ftoi Edi Ramën për ta bërë ministër e mandej edhe Kryetar të Bashkisë së Tiranës?

Apo kur Edi Rama bëri kërkesë për t’u bërë anëtar i saj?

Apo kur pasi i publikuan fotot e tij dalë lakuriq, nuk e braktisi por, iu bë krah e mbështetje me shumë fisnikëri dhe mirësi njerëzore?…

Më thoni pra motra dhe vëllezër socialistë, kur ka qenë Partia Socialiste një bordello?!