Vendosni fjalën kyçe....

“Thashë se bufit iu hoq non grata, po qenka tallje” – Rama pas lajmit se Berisha mund të shkojë në SHBA


Kryeministri Rama ka komentuar lajmin e mbrëmshëm se kreu i PD-së Berisha mund të udhëtojë drejt SHBA-së duke e quajtur atë “tallje të bufit me lukuninë e kënetës”.

Kreu i qeverisë shkruan se heqja e non gratas ndaj Berishës shpëtonte vendin nga një turpi pashembullt po ky nuk është rasti.

“Thashë se ia hoqën vërtetë damkën të shpëtonte Shqipëria nga një turp i pashembullt, po aha, hiç, qenkej një tjetër nga ato talljet e Bufit me lukuninë e Kënetës, ku mbetet gjithnjë i palëkundur besimi se po e tha Bufi fluturon edhe gomari…Trushpëlarje aq shembullore u ka bërë në tërë këto vite të shkretëve, sa që edhe kur Bufi i rrjedhur përçartet rrugëve, Këneta sheh ëndrra madhështore me rrugë qumështi dhe mëndafshi, ku oqeani bëhet kos dhe kapelja trampiste e Bufit shumëfishohet në miliona tenxhere floriri”, shkruan Rama.

Sipas gazetarit amerikan Marc Caputo, Sali Berishës i lejohet të udhëtojë drejt SHBA-së pavarësisht shpalljes non grata nga DASH në vitin 2021.

Në një postim në rrjetin social X, Caputo deklaron se ka pyetur Departamentin Amerikan të Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe ka marrë një përgjigje që lë të kuptohet për një mundësi udhëtimi.

“E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA,” shkruan Caputo, duke cituar një pjesë nga reagimi zyrtar i DASH.

Në përgjigjen e dërguar gazetarit, Departamenti Amerikan i Shtetit shprehet:

“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it.”