Vendosni fjalën kyçe....

Departamenti i Shtetit lejon Sali Berishën të hyjë në SHBA


Gazetari amerikan Marc Caputo, që punon për agjencinë “Axios”, ka raportuar se Shtetet e Bashkuara mund të lejojnë hyrjen e Sali Berishës, kreut të opozitës shqiptare, në territorin amerikan, pavarësisht shpalljes së tij “non grata” në vitin 2021.

Në një postim në rrjetin social “X” (ish-Twitter), Caputo deklaron se ka pyetur Departamentin Amerikan të Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe ka marrë një përgjigje që lë të kuptohet për një mundësi udhëtimi.

“E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA,” shkruan Caputo, duke cituar një pjesë nga reagimi zyrtar i DASH.

Në përgjigjen e dërguar gazetarit, Departamenti Amerikan i Shtetit shprehet:
“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it.”

Caputo ka shpërndarë gjithashtu një shkrim të publikuar në “Wall Street Journal”, ku drejtuesi i fushatës së Partisë Demokratike të Shqipërisë, Chris LaCivita, ka dhënë një intervistë për këtë temë.

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe anëtarët e familjes së tij u shpallën “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit më 19 maj 2021. Në atë kohë, Sekretari i Shtetit Antony Blinken e akuzoi Berishën për korrupsion të rëndë, përfshirë shpërdorim të fondeve publike dhe ndërhyrje në procese zyrtare. Berisha i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe ka ngritur një padi ndaj Blinken në një gjykatë në Paris.

Ai ka akuzuar për këtë vendim edhe kryeministrin Edi Rama dhe miliarderin George Soros, të cilët i konsideron si nxitës të shpalljes “non grata”.