Vendosni fjalën kyçe....

“Incidenti në Elbasan për shkaqe banale” – Dega e PD-së Elbasan sqaron përplasjen


PD ka reaguar lidhur me ngjarjen e mbrëmshme në mbyllje të fushatës në Elbasan ku pas një përplasjeje u plagos djali i deputetit të PD-së Luçiano Boçi.

Sipas degës së PD-së Elbasan përplasja ka ndodhur për shkaqe banale dhe nuk ka asnjë lidhje me mbështetësit apo kandidatët e PD-së.

“Në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë mitingut përmbyllës të Partisë Demokratike në Elbasan, Partia Demokratike Dega Elbasan dëshiron të sqaroj opinionin publik se bëhet fjalë për një konflikt të natyrës krejtësisht banale mes disa të rinjve, pa asnjë lidhje me përplasjen e grupeve mbështetëse të kandidatëve apo me organizimin e Partisë Demokratike.

Fatkeqësisht, ky episod i izoluar u përdor me shpejtësi nga qarqe të afërta me mazhorancën për ta politizuar dhe për të njollosur suksesin e këtij takimi madhështor,ku qytetarët e Elbasanit treguan mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme për Prof. Dr. Sali Berishën dhe Partinë Demokratike.

Partia Demokratike Elbasan u bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos ndikohen nga manipulime të tilla keqdashëse dhe të mbeten të fokusuar tek qëllimi ynë i përbashkët: fitorja e vlerave demokratike dhe ndryshimi që Elbasani dhe Shqipëria meritojnë.” – thuhet në njoftimin e degës së PD-së Elbasan.