Vendosni fjalën kyçe....

Si abuzon me tenderat Sadri Abazi, e zbulon “Topi i inceneratorëve”


Mbrëmjen e kaluar, emisioni “Top Story” në televizionin “Top Channel” publikoi një investigim se si bashkitë kanë abuzuar me plehrat e qytetit, duke rritur artificialisht sasinë për të tenderuar më tepër para.

Në veçanti u diskutua për tenderat e fituar nga familja e deputetit socialist, Sadri Abazi.

Kompania “Alko Impeks” me administrator nipin e deputetit, ka fituar një tender në vitin 2016 për pastrimin nga bashkia e Librazhdit, me vlerë 480 milionë lekë të vjetra, për 4 vite.

Pas përfundimit të kësaj kontrate, e njëjta bashki shpall të njëjtin fitues për të njëjtin tenderim për pastrimin e qytetit. Por këtë radhë vlera e tenderit është gati 3 herë më e lartë, rreth 1.2 miliardë lekë.

Sipas investigimit të Topit, bashkia e ka rritur artificialisht sasinë e plehrave për të shtuar buxhetin për kompaninë e nipit të deputetit socialist, pasi 130 ton mbetje nuk ekzistojnë.

Investigimi vijon më tej me bashki të tjera në qarkun e Elbasanit, në Peqin, Belsh e Gramsh.


Plehrat e Kamzës i faturohen Tiranës

Programi investigoi dhe biznesin e plehrave në Bashkinë e Kamzës. Edhe këtu, kompania koncesionare rezulton “Alko-Impex general Construction”, me administrator Arbër Abazin, nipin e deputetit socialist Sadri Abazi. Kjo kompani ka arritur të sigurojë një kontratë koncensionare për 12 vite, me vlerë 1.3 miliardë lekë, nga ish-kryebashkiaku demokrat Xhelal Mziu.

Në kontratë sipas Topit, kompania do të duhej që brenda 6 muajsh, të realizonte një stacion transferimi dhe diferencimi për mbetjet e riciklueshme. Por kanë kaluar 2 vite dhe ky detyrim nuk është përmbushur.

Sipas investigimit, mjetet e kësaj kompanie, pasi ngarkohen me mbetje në Kamëz, i depozitojnë në landfillin e Sharrës, duke i deklaruar si mbetje të Tiranës, duke i shkaktuar Bashkisë së Tiranës një dëm prej qindra mijëra eurosh në vit. Mes Sharrës dhe bashkisë së Kamzës nuk ka asnjë marrëveshje për depozitimin e plehrave.

Edhe pse vetë Top Channel është në konflikt interesi kur bëhet fjalë për inceneratorët e plehrave, hetimi i tyre përbën interes publik.

Pse “Top Channel” është në konflikt interesi me inceneratorët?

 “Top Channel” është në konflikt interesi me inceneratorët, për shkak drejtori i televizionit Ben Blushi dhe aksionerja Vjollca Hoxha janë vënë në shërbim të një koncesioni që paguhet nga taksat e qytetarëve.

Vetëm një ditë më parë, CNA.al publikoi disa dokumente që tregonin se dy aksionerët e kompanive që kanë marrë me koncesion inceneratorët, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, janë bashkëortakë me Ben Blushin.

Njëri dokument tregonte ortakërinë në Bullgari të Mirel Mërtirit me Eva Blushin, bashkëshorten e Ben Blushit në kompaninë “EM Kapital Group” në Bullgari.

Më pas kjo kompani vjen në Shqipëri dhe blen 51% të aksioneve të Valtelina Kafe, e cila mban emrin tregtar Lori Kafe dhe që ka të njëjtët pronarë me Top Channel.

Kështu, dy dokumentet tregojnë se Vjollca Hoxha dhe Ben Blushi )nëpërmjet bashkëshortes së tij) janë ortakë me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin. Këta të dy janë dy aksionerë të kompanive që kanë marrë me koncesion inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit./ Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *