Vendosni fjalën kyçe....

Boçi në Shkodër: Sali Berisha është misionar për shpëtimin e vendit


Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, zhvilloi një takim elektoral në qytetin e Shkodrës, ku theksoi nevojën për ndryshim dhe e cilësoi situatën aktuale politike si një “betejë mes të mirës dhe të keqes”. Në një fjalim para qytetarëve, Boçi tha se vendi ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm, që do të përcaktojë të ardhmen e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë.

“Duhet t’i themi stop të keqes,” u shpreh Boçi. “Programi i Partisë Demokratike është njerëzor. Nga njerëzorja lind madhështia e qytetarit shqiptar, për një Shqipëri të madhështore.”

Ai e përshkroi ish-kryeministrin Sali Berisha si një “misionar për shpëtimin e vendit”, dhe i inkurajoi qytetarët të ndihen edhe vetë si pjesë e kësaj përpjekjeje për ndryshim. “Edhe ju jeni misionarë të shpëtimit të Shqipërisë,” deklaroi ai.

Boçi akuzoi kryeministrin Edi Rama për përhapje të urrejtjes dhe përpjekje për të mbajtur Shkodrën të izoluar dhe të varfër. “Mos u gënjeni nga premtimet boshe dhe nga propaganda. Ata që mbyllën Shkodrën, duan ta prangosin me varfëri,” tha ai.

Në përfundim, kandidati demokrat bëri thirrje për mbështetje të alternativës së ofruar nga PD, duke e cilësuar si të vetmen rrugë drejt një Shqipërie më të drejtë dhe më dinjitoze për qytetarët.