Vendosni fjalën kyçe....

Senatorja amerikane Joni Ernst në mbështetje të Jorida Tabakun në zgjedhjet e 11 majit


Senatorja republikane e Shteteve të Bashkuara, Joni Ernst, ka shprehur mbështetjen e saj për Jorida Tabakun, kandidate në listën e hapur të Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës.

Në një mesazh të dërguar, Senatorja Ernst vlerëson angazhimin e Tabakut në politikën shqiptare dhe e inkurajon për vijimin e rrugëtimit të saj publik.

Joni Ernst, një nga figurat më të njohura të Partisë Republikane dhe ish-ushtarake me karrierë në Senat, ka ndjekur zhvillimet në Shqipëri me interes dhe ka qenë vetë më parë në një vizitë zyrtare në vend, ku është takuar me përfaqësues të institucioneve demokratike dhe ka shprehur interes për forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Mbështetja për Jorida Tabakun vjen si shenjë e besimit që ajo ka fituar për përkushtimin ndaj reformave, demokracisë funksionale dhe bashkëpunimit euroatlantik.

Në vijimësi të karrierës së saj si Kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane në Kuvendin e Shqipërisë, Tabaku ka qenë një zë i pandalshëm për sundimin e ligjit, integrimin europian dhe përfaqësimin e denjë të grave në politikë.

Gjatë gjithë fushatës së saj për zgjedhjet e 11 majit, Tabaku ka theksuar rëndësinë e forcimit të institucioneve dhe të lidhjeve me aleatët strategjikë si SHBA.