Kryeministri Rama tha mbrëmjen e sotme se qytetarët do votojnë masivisht PS-në pasi e kanë parë bilancin e punëve të qeverisë.
Kreu i qeverisë parashikoi se PD-ja do marrë një rezultat edhe më të dobët se në vitin 2021, kur ishte më e organizuar.
“PD-ja nuk e merr dot as rezultatin e vitit 2021. Atëherë ishin më të organizuar. Qytetarët dallimin e kanë bërë, e kanë mbyllur dhe e kanë shumë të qartë. Se jetojnë në jetën reale dhe përputhin çfarë thuhet dhe shohin. Në të gjitha këto kënetat e vogla thuhet që Rama premtoi ujë, ujë s’ka. Ndërkohë që shumica dërrmuese kanë ujë dhe kur ata dëgjojnë mua që them kemi bërë kaq, e kaq në këtë qark, kthejnë sytë nga rubineti i tyre dhe ka ujë. Këto dy gjëra përputhen. Unë kam premtuar ujë 24 orë dhe në shumicën dërrmuese të qyteteve uji është 24 orë sot që flasim, me ndonjë përjashtim. Ideja që s’ka përballje, program apo qytetarët s’po shohin gjë dhe që s’ka politikë është e pavërtetë sipas meje. Është e kundërta. Ne kemi bilanc dhe qytetarët jetojnë me këtë bilanc. Nëse ne do të tregonim një bilanc që qytetarët s’e prekin nuk do të ishim sot në të gjithë sondazhet e opinionit një forcë absolutisht dominante.” – tha Rama në Report Tv.
Ai përsëriti se Shqipërisë i ka ardhur një mundësi e artë për t’u anëtarësuar në BE pasi është hapur dera në një mundësi të rrallë për t’u bërë pjesë e bllokut brenda vitit 2027.
“Është hapur dera se nuk ka qenë dera e hapur më përpara. Sot jemi në kushte të reja. BE-ja unanimizht nuk e refuzon më zgjerimin, por madje e nxit. Shqipërisë i kanë dhënë tre vjet afat. Nuk ia kanë dhënë askujt më parë, sepse ata duan të fusin brenda Shqipërinë bashkë me Malin e Zi. BE-ja dotë fusë brenda anëtarë të rinj. Ne kriteret i kemi plotësuar por tani është hapur dera. Ata nuk e prisnin sa të përgatitur ishim në procesin e screening.” – shtoi Rama.
