Nga Aurel Plasari (FB)
Si sfidë demokratike – ose antidemokratike – priteshin zgjedhjet presidenciale të 5 majit në Rumani pas skandalit europian të dhjetorit të kaluar, kur Gjykata Kushtetuese e Rumanisë, me një vendim sensacional vetëm dy ditë para balotazhit, ndërhyri për të pavlefshëm suksesin e kandidatit të së djathtës Calin Georgescu kinse për shkak parregullsish financiare në fushatën e tij zgjedhore dhe “ndërhyrjes së rëndë ruse” përmes TikTok-ut.
Ishte një vendim në vazhdën e politikës majtiste të burokracisë së Brukselit për të shmangur, si në Rumani, edhe në Francë, Gjermani etj. çdo mundësi fitoresh së forcave të djathta gjithnjë më pranë ardhjes në pushtet.
Në Rumani donin të eliminonin një, tani kanë dy: sepse fituesi i raundit të 5 majit, George Simion, është pikërisht krahu i djathtë i shefit të tij të eliminuar Georgescu. Të dy u paraqitën së bashku në qendrën e votimit për të hedhur votën e tyre. «Unë votova me Calin Georgescu-n. Ne jemi këtu vetëm me një mision, rivendosjen e rendit kushtetues, rivendosjen e demokracisë, – tha Simioni. – Nuk kam asnjë qëllim tjetër përveç vendit të parë për popullin rumun, të cilit dua t’i shërbej. Ne jemi këtu me vetëm një dëshirë, të bëjmë drejtësi për Rumaninë”, shtoi ai.
Simioni ka fituar me mbi 40% dhe i ka heshtur togat e korruptuara të drejtësisë. Populli rumun ka folur dhe “pavarësisht manipulimeve dhe pengesave, rumunët janë rebeluar”, tha Simioni kreu i partisë AUR. Ajo do të përballet me një balotazh më 18 maj, por vendimi nga sondazhet është i qartë: e djathta, ose siç e quajnë disa të majtë, e djathta ekstreme, ka fituar. Kandidati i koalicionit qeverisës Crin Antonescu është në vendin e dytë me rreth 21% të votave, ndërsa në vendin e tretë është kryetari i bashkisë së Bukureshtit Nicusor Dan me 19.6%.
Fjalët e para të fituesit janë një denoncim i plehut kriminal të BE-së që e detyroi Georgescun të mos kandidonte. “Është fitorja e popullit, – u shpreh Simioni. – Unë mbetem i përkushtuar ndaj Georgescu-t, i cili është presidenti i vërtetë”. Që gjatë fushatës elektorale ai premtoi se ishte gati të emëronte Calin Georgescu-n kryeministër në rast fitoreje në zgjedhje dhe e përsëriti këtë premtim edhe pas fitores së 5 majit.