Vendosni fjalën kyçe....

E djathta në Australi pëson disfatën më të rëndë zgjedhore në histori, Dutton humb edhe mandatin


Opozita në Australi është tronditur rëndë pas humbjes shkatërruese në zgjedhjet federale të së shtunës, e cila po rezulton si disfata më e madhe në historinë e saj.

Lideri i Partisë Liberale, Peter Dutton, humbi jo vetëm zgjedhjet, por edhe mandatin e tij në zonën elektorale të Dickson, që e kishte mbajtur për 24 vite me radhë.

Ai u mund nga kandidatja e Laburistëve, Ali France, në bastionin e tij në Queensland, duke u bërë kështu lideri i parë i opozitës që humb mandatin personal në të njëjtën kohë me zgjedhjet kombëtare.

Fitorja dërrmuese e Partisë Laburiste ka shkaktuar kaos në radhët e Liberalëve, të cilët tashmë po kërkojnë një lider të ri dhe një analizë të thellë për të kuptuar se çfarë shkoi keq, përcjell BBC.

Disa anëtarë të partisë kanë kërkuar një “rishikim serioz”, ndërsa një ish-këshilltar e përshkroi humbjen si dështim të “eksperimentit Dutton”.

Kryeministri Anthony Albanese, pas fitores bindëse të Partisë Laburiste, u shpreh të dielën para gazetarëve në një kafene në Sydney: “Populli australian votoi për unitet dhe jo për përçarje.”

Humbjet më të mëdha të Liberalëve u shënuan në qytetet kryesore të vendit, ku ata u fshinë pothuajse plotësisht nga zonat metropolitane si Sydney, Melbourne, Brisbane dhe Adelaide.

Deputeti liberal Keith Wolahan, që përfaqëson zonën e Menzies në Victoria dhe që gjithashtu rrezikon të humbasë mandatin, tha për ABC se “duhet të pranojmë që diçka shkoi keq. Populli australian na ka dërguar një mesazh dhe detyra jonë e parë është ta dëgjojmë atë – kjo shpesh kërkon kohë.”

Ndërsa disa komentues kanë qenë më të drejtpërdrejtë. Andrew Carswell, ish-këshilltar i një kryeministri të mëparshëm liberal, deklaroi se “eksperimenti Dutton dështoi” dhe e cilësoi rezultatin si “një katastrofë e plotë për Koalicionin”. Ai theksoi se qytetarët treguan qartë se kishin “hezitime të mëdha ndaj Peter Dutton”.

Një faktor tjetër që sipas analistëve ndikoi negativisht në fushatën e Dutton ishte krahasimi i tij i vazhdueshëm me Donald Trump, duke krijuar një “efekt Trump” që e minoi më tej përpjekjen për të fituar.

Pas humbjes së Dutton, në Partinë Liberale ka nisur gara për lidershipin. Ndër emrat që përfliten janë arkëtari në hije Angus Taylor, zëvendësliderja Sussan Ley, ministri në hije për emigracionin Dan Tehan dhe ai i mbrojtjes Andrew Hastie.

Megjithatë, pa një kandidat të qartë favorit, Partia Liberale përballet tani me një sfidë të madhe: të rindërtohet dhe të rikthejë besimin e votuesve.