
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një vizite në familjen tiranase Kazani, e vuri theksin te çështja e pronës, të cilën e cilësoi si një nga problemet më të mëdha që vazhdon të rëndojë mbi shoqërinë shqiptare.
Në fjalën e tij, Berisha akuzoi Qeverinë se ka krijuar një agjenci që uzurpon dhe grabit prona, duke e krahasuar situatën me vitin 1946.
Sipas tij, përmes Korporatës së Investimeve, qeveria e Edi Ramës, e përfaqësuar nga “një Belindë e dytë”, po merr tokat dhe pronat e qytetarëve pa asnjë kufizim ligjor apo kushtetues.
“Është gjë e pabesueshme. Me krijimin e Korporatës së Investimeve, që shpallet vetë pronare e tokave shqiptare, prona është në rrezik absolut. Ligjet e sotme janë të njëjta me ato të vitit 1946”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se në 12 vitet e fundit janë zgjidhur vetëm 800 dosje pronësie, ndërkohë që janë mbi 22 mijë në pritje.
Ish-kryeministri risolli në vëmendje edhe mangësitë e viteve të para të tranzicionit demokratik, ku sipas tij, trashëgimia e psikologjisë kolektiviste e diktaturës e bëri të vështirë njohjen dhe rikthimin e së drejtës së pronës.
Ai solli si shembull një histori nga viti 1991, ku banorët ndanë tokat sipas gurëve të trashëguar, duke dëshmuar respektin e tyre për pronën private.
Berisha e konsideroi veprimtarinë e agjencive shtetërore aktuale si “plaçkitje” të organizuar dhe paralajmëroi se Partia Demokratike nuk do të njohë asnjë vendim të marrë nga këto struktura.
“Mos u bëni bashkëautorë në krimin e përvetësimit të pronave të të tjerëve, sepse PD dhe qeveria e saj nuk do ta pranojnë kurrë këtë”, tha ai.
Berisha premtoi se çështja e pronës do të zgjidhet përfundimisht brenda një mandati qeverisës prej 4 vitesh, pavarësisht kostos që ajo mund të ketë për shtetin.
“Nëse nuk është e mundur kthimi fizik i pronës, do të bëhet kompensimi i plotë. Edhe kredi do të marrë qeveria për të shlyer ish-pronarët”, përfundoi ai.