Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën tre të vdekur nga ndërprerja masive e energjisë në Spanjë


Të paktën tre persona kanë humbur jetën në Spanjë si pasojë e një incidenti të lidhur me ndërprerjen masive të energjisë elektrike që paralizoi vendin të hënën, ka bërë të ditur Garda Civile për BBC-në.

Viktimat janë nga komuna Taboadela në verilindje të Spanjës dhe sipas mediave spanjolle, ata ishin anëtarë të së njëjtës familje – një çift bashkëshortësh dhe djali i tyre i rritur.

Autoritetet dyshojnë se vdekjet mund të jenë shkaktuar nga monoksidi i karbonit që është liruar prej një gjeneratori elektrik me defekt, megjithatë Garda Civile nuk ka dhënë ende detaje të tjera në lidhje me hetimet, sipas BBC.

Trupat e tyre janë gjetur në shtretërit e tyre nga një punonjëse kujdesi ditën e martë, sipas raportimeve të gazetës El País.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për disa raste të tjera të vdekjeve që mund të jenë lidhur me ndërprerjen e energjisë.

 Në Madrid, një grua rreth të pesëdhjetave ka humbur jetën pas një zjarri që besohet se u shkaktua nga një qiri i ndezur gjatë mungesës së dritave. Zjarri ka ndodhur të hënën në mbrëmje në lagjen Carabanchel të kryeqytetit spanjoll.

Sipas zyrës së emergjencave të qytetit, trembëdhjetë persona janë trajtuar për thithje tymi, nga të cilët pesë janë dërguar në spital.

Një tjetër grua rreth të dyzetave ka ndërruar jetë në Valencia. Sipas raportimeve të mediave, ajo vuante nga një sëmundje e mushkërive dhe ka ndërruar jetë pasi aparati i frymëmarrjes që përdorte ka pushuar së funksionuari gjatë ndërprerjes së energjisë.

Megjithatë, El País citon burime shëndetësore rajonale sipas të cilave gruaja kishte disa probleme shëndetësore dhe ka vdekur për shkaqe natyrore.

Ndërprerja masive e energjisë shkaktoi një kaos të vërtetë në të gjithë Spanjën dhe Portugalinë, ndërsa u prekën edhe Andorra dhe pjesë të Francës.

Në Spanjë dhe Portugali, semaforët dolën jashtë funksionit, metrotë u ndalën dhe bizneset nuk mund të kryenin pagesa me kartë, çka solli radhë të gjata pranë bankomatëve të paktë që vijonin të funksiononin.

Gjithashtu, në orët e para të ndërprerjes edhe rrjetet celulare pësuan ndërprerje, duke lënë shumë qytetarë pa informacion dhe të shqetësuar.