Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Liderët evropianë mendojnë se Rama do ta ndjekë McGonigal nga pas


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi mbrëmjen e djeshme një miting elektoral në zonën e Astirit në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit. Para mbështetësve, Berisha ndau edhe përvojën nga pjesëmarrja e tij në samitin e Partive Popullore Evropiane (PPE) në Valencia, ku qëndroi për dy ditë.

Gjatë kongresit të PPE-së në Valencia, Berisha tha se informoi liderët evropianë për aferën e inceneratorit të Tiranës, duke shtuar se ka gjetur reagim të befasuar nga homologët. Ai shtoi se disa prej tyre e krahasuan situatën me rastin McGonigal, duke sugjeruar se “Edi Rama do ta ndjekë nga pas”.

Në fjalën e tij, Berisha u ndal tek gjendja ekonomike e vendit, duke kritikuar qeverinë për mungesën e politikave efektive që, sipas tij, kanë çuar në emigrim masiv dhe humbje të vendeve të punës.

“Në 10 vite janë larguar mbi 1 milion shqiptarë vetëm drejt zonës Schengen. Vetëm 600 mijë të rinj janë larguar. Kjo është pasojë e varfërisë dhe papunësisë,” deklaroi ai.

Berisha kundërshtoi deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama për uljen e papunësisë, duke sjellë në vëmendje të dhëna për rënie të ndjeshme të eksporteve dhe mbyllje të bizneseve.

“Nga viti 2023 në 2024, eksportet ranë me 32%, çka do të thotë se të paktën 60 mijë shqiptarë humbën vendin e punës,” theksoi ai.

Ai prezantoi gjithashtu disa pika të programit të PD-së, duke përfshirë vendosjen e një minimumi jetik prej 200 euro për çdo pensionist dhe orientimin e ekonomisë drejt rritjes së prodhimit dhe punësimit real.