Vendosni fjalën kyçe....

Ilir Meta nga burgu: Rama s’pyet pse Përmeti po boshatiset, por sa është paga e çobanit në Greqi


Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga izolimi në burg pas deklaratave të fundit të kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës në Përmet. Me tone ironike dhe akuzuese, Meta e krahason fjalimin e Ramës me “Akademinë e Çobanëve”, ndërsa e akuzon për shkatërrimin e bujqësisë dhe blegtorisë në vend.

“Rama u interesua sot nga Përmeti për pagën e çobanit në raport me Greqinë, por më mirë të pyesë INSTAT-in për të mësuar kush e përgjysmoi numrin e bagëtive në Përmet dhe në të gjithë Shqipërinë,” shkruan Meta në një postim në Facebook.

“Pyete përse kope të tëra janë shitur për një copë bukë dhe ato pak baxho që kanë ngelur më shumë harxhojnë se sa fitojnë? Përgjigjen ta japin përmetarët, sepse janë ata rilindas të vërtetë, pasardhës të Frashërllinjve,” shprehet Meta.

Meta akuzon Ramën se ka ndikuar në shkatërrimin e prodhimit vendas përmes nismës “Ballkani i Hapur”, si dhe për dështimet infrastrukturore në rajon. Ai përmend rrugën Skrapar-Përmet, të cilën e cilëson si një premtim të pambajtur që ka mbetur në vendnumëro që prej vitit 2017.

Sipas Metës, politika e mbështetjes për bujqësinë është thjesht propagandë.

“Gjeje veten për të mashtruar përmetarët me miliardat e BE-së, kur në realitet një fermer që ka 9 lopë apo 99 dele nuk përfiton asnjë lekë nga mbështetja.”

Ai gjithashtu hedh akuza për abuzime me fondet e IPARD-it dhe mungesën e investimeve të premtuara në zonë, përfshirë rrugën Përmet-Frashër, të cilën Rama e ka premtuar disa herë pa e realizuar.

Meta përmbyll reagimin e tij me një referencë ironike ndaj një kënge të porositur nga Rama në Kolonjë.

“Atë këngën që porosite në Kolonjë, e dëgjove aty ku u shemb rruga si kala rëre, dhe ku u pa me sy se asfaltit i binte tegeli si fletë cigareje – simbol i korrupsionit tënd skizofrenik.”