
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Peshkopi.
Në një deklaratë nga Dibra, Berisha e akuzoi Ramën për fyerje kolektive ndaj dibranëve dhe e cilësoi ardhjen e tij në qytet si një akt pushtimi. Ai solli në vëmendje çështjen e Rrugës së Arbrit dhe mungesën e transparencës për shpenzimet publike, duke e akuzuar Ramën si pasues të komunistëve që shpallnin armiq patriotët e vendit.
“Burrat e Dibrës janë si malet e Dibrës, mjerë kush i sulmon”, u shpreh ai.
“Dy ditë më parë, erdhi këtu burreci dy metra i gjatë. Rruga e Arbrit do të ishte inauguruar me parametra më të mira se ajo që keni sot. Rama duhet të tregojë se ku shkuan 130 milion euro. Nuk tha një fjalë se me çfarë parash bleu Kopshtin e Edenit në Kryeministri. Dje i dhashë një përgjigje, sot po jap një tjetër. Ti erdhe si pushtues, sepse bëre një fyerje kolektive”, tha ndër të tjera Berisha.
Berisha shtoi se Rama veproi si paraardhësit e tij, duke shpallur armiq ata që qëndronin për Zotin dhe atdhenë, për Dibrën dhe Shqipërinë.
“Fole si kopuk, sikur ishe me ministreshat e tua që xinglohen aty. Burrat e Dibrës janë si malet e Dibrës, mjerë ai që i sulmon. Rroftë Dibra, rroftë Shqipëria, fitore.”