Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Rama u ka dhënë oligarkëve printer, vendosin vetë sa para do bëjnë


Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, gjatë konferencës “Partitë politike përballë alternativës së ekonomisë”, ngriti akuza të forta ndaj qeverisë, duke theksuar se pushteti ekonomik dhe politik në Shqipëri është përqendruar në duart e një njeriu të vetëm. Ai deklaroi se qeveria ndikon në treg përmes korrupsionit dhe përdorimit të parave të pista.

Sipas Shehajt, është kryeministri Edi Rama ai që përcakton kush do të fitojë dhe kush do të dështojë në ekonomi, ndërsa biznesi i ndershëm has vështirësi reale përballë një sistemi të manipuluar.

“Qeveria nuk e lë tregun të funksionojë. Ndërhyn me korrupsion dhe para të pista. Ata që quhen ‘ortakë’ të kryeministrit nuk janë biznesmenë, por njerëz që ‘printojnë para’. Kryeministri u ka dhënë një printer dhe vendosin vetë sa para do bëjnë sot,” deklaroi ai.

Shehaj theksoi se fitimet e këtyre oligarkëve janë joreale, duke cituar përqindje fitimi prej 70 apo 80%, ndërsa biznesi i ndershëm ka sukses nëse arrin një fitim prej 10%.

“Ky nuk është një treg i lirë. Është një sistem ku ndershmëria nuk shpërblehet, por pengohet. Ne jemi në një karikaturë të kapitalizmit,” tha ai, duke shtuar se Shqipëria mund të zhvillohet vetëm kur të kalojë në një model të vërtetë kapitalist.

Duke komentuar mungesën e figurave të larta politike në konferencë, Shehaj u shpreh i zhgënjyer: “U zhgënjeva kur pashë që partitë e tjera nuk kishin sjellë as numrin 1, as 2, as 3. A është kaq pak e rëndësishme ekonomia për ta?”

Në përmbyllje, ai ritheksoi se për partinë Mundësia, ekonomia dhe biznesi janë thelbi i fushatës për zgjedhjet e 11 majit, ku kjo forcë politike garon për herë të parë dhe mban numrin 10 në fletën e votimit.