
Sudani i kërkoi të enjten Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) që të urdhërojë urgjentisht Emiratet e Bashkuara Arabe të ndalojnë mbështetjen për grupet paramilitare në Darfur, duke i konsideruar ato si “forca nxitëse kryesore” pas mizorive ndaj popullsisë Masalit, përcjell DW.
Sipas Sudanit, mbështetja logjistike dhe tjetër që Emiratet i kanë dhënë Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) ka qenë faktori vendimtar pas vrasjeve, përdhunimeve, zhvendosjeve të detyruara dhe plaçkitjeve që përbëjnë gjenocid në rajon.
Konflikti në Sudan nisi në prill të vitit 2023, si rezultat i përplasjes mes ushtrisë shtetërore dhe forcave paramilitare RSF. Më shumë se 24,000 njerëz janë vrarë dhe mbi 14 milionë të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, sipas Kombeve të Bashkuara.
Në seancën e zhvilluar në ICJ, ministri i drejtësisë në detyrë i Sudanit, Muawia Osman, kërkoi që Emiratet të detyrohen të paguajnë “dëmshpërblim të plotë”, përfshirë kompensim për viktimat e luftës.
Nga ana tjetër, Emiratet mohuan kategorikisht akuzat dhe kërkuan që rasti të hidhet poshtë. Përfaqësuesja e ministrisë së jashtme të EBA-së, Reem Ketait, u shpreh në gjykatë se: “Që nga fillimi i luftës, Emiratet nuk kanë furnizuar me armë apo materiale ndihmëse asnjë nga palët ndërluftuese.”
Ajo akuzoi Sudanin për “përdorim të padrejtë të institucioneve ndërkombëtare për të sulmuar Emiratet” dhe theksoi se gjykata nuk ka juridiksion për të trajtuar këtë çështje.
Proceset në ICJ mund të zgjasin me vite, por gjykata lejon kërkesa për masa të përkohshme për të ndalur krimet gjatë konflikteve të armatosura. Kërkesa e Sudanit vjen në një kohë kur SHBA dhe Arabia Saudite kanë bërë thirrje për rifillim të bisedimeve të paqes në vend.