Vendosni fjalën kyçe....

Berisha kritikon projektet infrastrukturore: Aeroporti i Vlorës dhe tuneli i Llogarasë, barrë për qytetarët


Gjatë prezantimit të programit të qeverisjes për infrastrukturën dhe transportin, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi ashpër projektet e mëdha të qeverisë, duke veçuar aeroportin e Vlorës dhe tunelin e Llogarasë si dy iniciativa që, sipas tij, rëndojnë ekonominë e qytetarëve shqiptarë.

Berisha e cilësoi aeroportin e Vlorës si një “gjobë të madhe” për shqiptarët, duke ngritur pikëpyetje mbi nevojën dhe përfitimin e tij ekonomik.

“Si mund të ketë Vlora aeroportin më të madh në Ballkan? Këtë e dinë vetëm hajdutët e qeverisë. Ka një rregull dhe një ligj për ndërtimin e aeroporteve, por këtu gjithçka është bërë për të vjedhur dhe për të rënduar më shumë mbi qytetarët,” u shpreh ai.

Berisha argumentoi se çdo biletë e munguar, për shkak të kapaciteteve të larta të projektit, do të mbulohet nga taksapaguesit shqiptarë.

“Çdo pasagjer i munguar mbi 600 mijë do të paguhet nga qytetarët,” tha ai, duke ngritur shqetësime për koston reale të këtij projekti.

Në vijim të kritikave, Berisha u ndal edhe tek tuneli i Llogarasë, duke e cilësuar si një ndërhyrje të panevojshme që dëmton një nga qafat më panoramike të Shqipërisë.

“95% e njerëzve që kalojnë aty janë turistë dhe tani u thuhet atyre të paguajnë nga 5 euro për të kaluar,” deklaroi ai.

Sipas Berishës, këto projekte nuk janë planifikuar për të ndihmuar qytetarët, por për të siguruar përfitime për një grusht njerëzish të lidhur me qeverinë. Ai theksoi se një qasje e tillë vetëm sa rrit pabarazinë ekonomike dhe i vendos barrën kryesore mbi taksapaguesit shqiptarë.