
Kryeministri Edi Rama, njoftoi se ditën e nesërme Shqipërinë do e vizitojë Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed Bin Zayed al Nahyan.
Rama thotë se vizita e tij do jetë një gur kilometrik në marrëdhëniet mes dy vendeve që sipas tij është materializuar me ndihmën e dhënë në ndërtimin e banesave për lagjen e Spitallës në Durrës apo edhe lidhjen energjetike nënujore më Italinë.
Sipas Ramës një plan ambicioz është në rrugë e sipër për energjinë e gjelbër.
“Mirëmbrëma nga Kryeministria. Nesër kemi një vizitë shumë speciale. Për herë të parë zbret në Shqipëri si president i Emirateve të Bashkuara, sheiku Mohammed Bin Zayed al Nahyan, një mik i vjetër i shqiptarëve dhe një mik shumë i dashur i imi personalisht. Ai ka zbritur në Shqipëri më parë, në vitin 1999, me aeroplanin e tij, mbi pistën e aeroportit të Kukësit, që u shtrua nga i ati, sheiku Zayed. Themeluesi i Emirateve të Bashkuara, më mbështetje të vëllezërve dhe motrave të shpërngulur me dhunë nga Kosova.
Asokohe Emiratet, nën porosinë e sheikut Zayed sollën sasi shumë të mëdha ndihmash, përmes asaj piste të ndërtuar enkas dhe presidenti që na nderon nesër, erdhi në këmbë të të atit, së bahsku me zëvendëspresidentin dhe sundimtarin aktual të Dubait, Muhamed bin Rashid Al Matum, që të dy ishin djem të rinj në forcat ushtarake të Emirateve. Vizita e presidentit të Emirateve dhe një prej udhëheqësve më të respektuar të botës së sotme, shënjon një gur shumë të rëndësishëm kilometrik, në rrugën e një miqësie dhe partneriteti që është forcuar shumë në vitet e fundit. Presidenti Bin Zayed ishte donatori më i madh për fondin e rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar në Durrës dhe lagja e re në Spitallë është ndërtuar e gjitha prej tij. Po ashtu nxiti marrëveshjen e rëndësishme të Portit të Durrësit, si dhe ishte kyç në marrëveshjen trepalëshe me Italinë për investimin strategjik për lidhjen nënujore energjetike që do të jetë themelore në transformimin e Shqipërisë në eksportuese neto të energjisë elektrike dhe shtet i pavarur nga ana energjetike në të gjithë rajonin.
Po ashtu me mbështetjen e pakursyer të presidentit Bin Zayed, KESH-i ynë dhe kompania e ekselencës “Masdar Group, kanë hyrë në rrugën e bashkimit, në një plan tejet ambicioz, në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë së gjelbërt. Një tjetër vlerë e shtuar e këtij bashkëpunimi strategjik është programi i monitorimit të rrugëve dhe shkollave me teknologjinë më të lartë, si dhe krijimi i ndërmarrjes së përbashkët të letrave me vlerë. Miku ynë i çmuar vjen nesër me një delegacion të nivelit të lartë, për të vendosur të tjera piketa, në rrugën e një partneriteti që bazohet tek interesat e përbashkëta, por ushqehet nga një miqësi shumë e sinqertë shtetërore por edhe personale. Jam shumë krenar që Shqipëria sot mirëpret miq si sheiku Mohammed Bin Al Zayed, diçka që deri pak vite më parë as nuk mund të imagjinohej!”-tha Rama.