
Prokuroria e Posaçme ka reaguar lidhur me faktin që në dosjen për Erion Veliaj kryebashkiaku cilësohet si një person ‘i dënuar’ në gjendjen gjyqësore.
SPAK tregon si ka ndodhur lapsusi ndërsa saktëson se nuk është përdorur si rrethanë gjendja gjyqësore e tij për të caktuar ndaj këtij të fundit, masën shtrënguese të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Për kryetarin e bashkisë së Tiranës, ky gabim është provë e asaj që e quajti ditën e djeshme si ‘paçavure e kurdisur’ nga prokurori Ols Dado.
SPAK sqaron më tej se megjithatë Veliaj ka tre vendime pafajësie, por në momentin e gjenerimit të certifikatës elektronike del me shënimin “i dënuar”.
“…çdo herë kur printohet Vërtetimi i Gjendjes Gjyqësore me shënime, del dhe statusi i dënuar si në këtë rast. Shtetasi E. L. V. ka 3 vendime pafajësie.
Në çdo rast, as në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Gjykatës se Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, por as nga kjo e fundit, nuk është përdorur si rrethanë gjendja gjyqësore e shtetasit nën hetim E.V, për të caktuar ndaj këtij të fundit, masën shtrënguese të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale”, sqaron SPAK.
Sqarimi
Në lidhje me pretendimet e shtetasit nën hetim E.V sa i takon gjendjes së tij gjyqësore, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sqaron se:
Në kërkesën për “Caktimin e masës shtrënguese të sigurimit personal”, drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shtetasin nën hetim E.V, me numër protokolli 2402, dt. 24.01.2025, Prokuroria e Posaçme nuk i është referuar për asnjë moment gjendjes së tij gjyqësore.
Si pjesë e akteve të depozituara pranë Gjykatës së Posaçme është edhe një certifikatë elektronike e gjendjes gjyqësore me nr. prot. 5488 datë 23.01.2025, e gjeneruar nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshëm të Burgjeve, ku organi procedues ka akses. Kjo certifikatë, në brendësi të saj përmban informacionin se shtetasi E.V, i biri i L. dhe Sh. lindur më 17.12.1979 në Tiranë, rezulton “I dënuar”.
Në lidhje me këtë certifikatë, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në lidhje me veprat penale si edhe vendimet gjyqësore, të cilat lidhen me certifikatën elektronike që është gjeneruar.
Me shkresën nr. 2215/1 datë 12.02.2025, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Gjyqësore ka sqaruar mes të tjerave se:
…çdo herë kur printohet Vërtetimi i Gjendjes Gjyqësore me shënime, del dhe statusi i dënuar si në këtë rast. Shtetasi E. L. V. ka 3 vendime pafajësie.
Në çdo rast, as në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Gjykatës se Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, por as nga kjo e fundit, nuk është përdorur si rrethanë gjendja gjyqësore e shtetasit nën hetim E.V, për të caktuar ndaj këtij të fundit, masën shtrënguese të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.