
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Abbott, ka zhvilluar një takim me kreun e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumanin.
Ambasada britanike ka bërë të ditur se Abbott riktheksoi angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur SPAK-un dhe e vlerësoi lartë punën e tij gjatë pesë viteve të funksionimit, duke e cilësuar atë si një nga institucionet më të besuara në Shqipëri.
“Në prag të zgjedhjeve, mirëpresim përpjekjet e SPAK për të mbështetur demokracinë shqiptare përmes hetimit të krimeve zgjedhore.
Gjatë pesë viteve të funksionimit të tij, SPAK është bërë një nga institucionet më të besuara në Shqipëri dhe është njohur ndërkombëtarisht si i tillë.
Mbretëria e Bashkuar mbetet një partnere krenare e SPAK-ut dhe pret me kënaqësi bashkëpunimin e mëtejshëm në vitin 2025”, thuhet në njoftimin e bërë publik nga ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë.