
Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar pas uljes në detyrë të Kryeredaktorit të lajmeve në RTSH, Olsjan Laskaj, i cili më pas është larguar nga pozicioni i ri.
Vendimi për shkarkimin e Laskajt është marrë nga drejtoresha e komanduar e RTSH-së Aurora Polo. Sipas Shoqatës së Gazetarëve, vendimi i Polos është në kundërshim me ligjin, arbitrar dhe i bëjnë thirrje asaj ta rishikojë masën.
Shoqata thekson se vendimi për uljen në detyrë të Laskajt nuk është i arsyetuar
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është informuar mbi vendimet arbitrare të Radio Televizionit Shqiptar në lidhje me punonjësit e departamentit të Informacionit. Së fundmi, drejtoresha në detyrë, Aurora Polo, në kundërshtim me Statutin e RTSH dhe Kodin e Punës, ka ulur në detyrë pa një arsyetim kryeredaktorin e lajmeve të RTSH1, Olsjan Laskaj. Ky veprim ka shkaktuar largimin e tij nga puna, pasi i është shkaktuar dëm moral dhe financiar.
Teksa gara për drejtuesin e ri të Radio Televizionit Publik Shqiptar është përmbyllur dhe Këshilli Drejtues pritet të zgjedhë Drejtorin e Përgjithshëm të Televizionit, AGSH dënon çdo veprim abuziv të drejtuesve në detyrë të RTSH. Ne i bëjmë thirrje organeve të RTSH që të rishikojnë vendimin e Drejtoreshës së Përgjithshme në detyrë në lidhje me ish-kryeredaktorin Olsjan Laskaj. Ne inkurajojmë organet drejtuese që të zbatojnë ligjin dhe të mos lejojnë asnjë shkelje, veçanërisht në këtë periudhë tranzicioni deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri të televizionit”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gazetarëve, raporton Shqiptarja.