
Laboratori Koimbëtar “Lawrence Livermore” në Kaliforni është tani shtëpia e superkompjuterit më të shpejtë në botë. I quajtur “El Capitan” dhe zyrtarisht e përuruan më 9 janar, ai është superkompjuteri i tretë në botë me kapacitet eksaskalë por më i shpejti nga të gjithë.
Ndërtimi i tij kushtoi 600 milionë dollarë dhe pritet të përmbushë disa detyra jashtëzakonisht të përparuara, përfshirë sigurimin dhe mbikëqyrjen e arsenaleve të armëve bërthamore të Shteteve të Bashkuara. Përveç kësaj, ai do përdoret për projekte të tjera kërkimore nën ombrellën e “sigurisë kombëtare”, si zbulimet e materialeve të reja, fizika e energjisë së lartë dhe detyra të tjera sekrete.
Jill Hruby, nënsekretare e Departamentit të Energjisë (DOE) për sigurinë bërthamore dhe administruese e Administratës së Sigurisë Bërthamore Kombëtare, tha në një deklaratë të vitit 2024: “Futja e El Capitan vijon përparimin e nevojshëm për të ruajtur arsenalin tonë bërthamor pa u kthyer në teste shpërthyese bërthamore. Kjo aftësi llogaritëse, e mbështetur nga dekada të të dhënave, ekspertizës dhe zhvillimit të kodeve, është zemra e menaxhimit të arsenaleve bazuar në shkencë. Ne do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën teknologjike dhe shkencore të nevojshme për të mbështetur ndërmarrjen e sigurisë bërthamore.”
Superkompjuteri filloi të ndërtohej në maj 2023 dhe u aktivizua në nëntor 2024. Ai është i aftë të arrijë një performancë kulmore prej 2.746 eksaflopësh.
“Flop” nënkupton operacione me “pike” lundruese në sekondë, ku një operacion me “pike” lundruese është një shumëzim ose mbledhje. “El Capitan” mund të kryejë deri në 2.746 x 10^18 operacione në sekondë dhe një mesatare prej 1.472 eksaflopësh. Për krahasim, do nevojiteshin më shumë se 1,000,000 iPhone 15 Pro që të punojnë njëkohësisht për të arritur këtë fuqi llogaritëse.
Ekzistojnë vetëm dy superkompjuterë të tjerë me kapacitet eksaskalë, të dy në Shtetet e Bashkuara. Superkompjuteri “Frontier” ndodhet në Laboratorin Kombëtar Oak Ridge në Tennessee dhe ka një performancë kulmore prej 2.056 eksaflopësh dhe një mesatare prej 1.353 eksaflopësh. Medalja e bronzit i takon superkompjuterit “Aurora” në Qendrën Llogaritëse Argonne, me një mesatare prej 1.012 eksaflopësh. Të dyja këto objekte operohen nga Departamenti i Energjisë.
“El Capitan do u japë shkencëtarëve mundësinë të analizojnë kompleksitete që për shumicën prej nesh do ishin të papërfytyrueshme,” tha kryebashkiaku i Livermore, John Marchand, gjatë ceremonisë së përurimit.