Kreu i PD-së Basha e ka quajtur projektligj me porosi nga mafia e pronave publike atë që pritet të diskutohet në seancën e sotme shkojë sot në Parlament.
Në një shënim në Facebook ai shkruan se mafia e pronave publike në bashkëpunim me qeveritarët e korruptuar kërkon të përvetësojë prona publike përmes shitjes me ankand, tjetërsimit ose shkëmbimit me pasuri private nga institucionet në varësi të kryeministrit ose kryebashkiakëve.
Basha u bën thirrje deputetëve dhe punonjësve të administratës që të tërhiqen nga ligji në fjalë pasi do përballen me ligjin.
“Sot në rendin e ditës është futur një projekt-ligj me porosi nga mafia e pronave publike. Tinëzisht dhe në bashkëpunim me qeveritarët e korruptuar ata duan ta përvetësojnë pronat publike nëpërmjet shitjes me ankand, tjetërsimit dhe shkëmbimit me pasuri private nga institucione në varësi të Kryeministrit apo të organeve të qeverisjes vendore. Ky ligj korruptiv është në vazhdën e ligjeve të porositur nga oligarkia, duke imituar skemën e inceneratorëve. Ky është Edi Rama, nga njëra anë propozon rezolutë kundër korrupsionit, nga ana tjetër e përdor atë për të fshirë buzët e pushtetit të trashura nga gostitë korruptive me pronat e shqiptarëve. Kjo është hipokrizia shtinjake e një pushteti të kalbur që premton publikisht në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se do të futet në dietë, ndërsa në skutat më të errëta të Kuvendit nxiton të përgatisë ligje për të gllabëruar pronën publike në dobi të një grushti oligarkësh dhe në dëm të shoqërisë shqiptare. Nuk mendojnë asnjë çast të hapin vende të reja pune për qytetarët, por vetëm planifikojnë vjedhjen e radhës në bashkëpunim me oligarkët. Bëjnë mirë të tërhiqen përpara se të përfundojnë pas hekurave ku nuk ka Edi Ramë që t’i mbrojë!”