Qeveria peruane ka kategorizuar zyrtarisht njerëzit transgjinorë dhe jobinarë si “të sëmurë mendorë”, duke shkaktuar frikën se qytetarët LGBTQ do stigmatizohen më shumë dhe potencialisht do humbasin liritë në vendin konservator të Amerikës së Jugut, shkruan TMZ.
Rishikimi u miratua në një dekret nga presidentja Dina Boluarte javën e kaluar, duke përcaktuar “transseksualizmin” dhe “çrregullimin e identitetit gjinor tek fëmijët” si sëmundje mendore. Gjithashtu në atë kategori përfshihen “transvestizmi me role të dyfishta”, “transvestizmi fetishist” dhe “çrregullime të tjera të identitetit gjinor”.
Ministria peruane e Shëndetësisë e shpjegoi më vonë vendimin, duke shpjeguar se riklasifikimi ishte dekretuar vetëm për të “garantuar mbulim të plotë të kujdesit mjekësor për shëndetin mendor”. Ministria u përpoq gjithashtu të qetësonte frikën se gjuha e rishikuar mund të çonte në shkelje të lirive civile, të tilla si detyrimi i personave trans që t’i nënshtroheshin terapisë së konvertimit.
Boluarte, një ish-anëtare e partisë marksiste-leniniste të Perusë së Lirë, mori detyrën në dhjetor 2022 si presidentja e parë femër e vendit. Ajo ka theksuar konservatorizmin social, duke siguruar terren të përbashkët me shumicën konservatore të Kongresit të Perusë. Ligjvënësit kanë hequr ideologjinë gjinore dhe referencat për barazinë gjinore nga tekstet shkollore.
Aktivistët LGBTQ kanë ngritur alarmin për vendimin për të etiketuar transgjinorët si të sëmurë mendorë. Jheinser Pacaya, drejtore e “OutFest Peru”, argumentoi se 100 vjet pas dekriminalizimit të homoseksualitetit, qeveria e vendit “nuk ka asgjë më të mirë për të bërë se sa të përfshijë njerëzit trans në kategorinë e sëmundjeve mendore. Ne do luftojmë dhe nuk do të pushojmë deri në shfuqizimin e tij.”
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) hoqi “çrregullimin e identitetit gjinor” nga manuali i saj global i diagnozave në vitin 2019. Megjithatë, Manuali Diagnostik dhe Statistikor i Çrregullimeve Mendore i Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë përfshin një diagnozë të disforisë gjinore.