Vendosni fjalën kyçe....

Nga bluza te deklarata, mesazhet kritike të Kryemadhit ndaj Metës dhe organizimit të ri (Video)


Monika Kryemadhi nuk mungoi në Komitetin Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë ku dhe përcolli disa mesazhe të rëndësishme drejt bashkëshortit të saj Ilir Meta pas një “krisje të raportit të tyre politik”.

Duke filluar nga bluza, me shkrimin  “here I am” (shqip: Ja ku jam) Monika Kryemadhi i dha përgjigje Metës për deklaratat e bëra prej tij se është thirrur nëpër takime si p.sh ai në Fier dhe nuk ka qenë prezentë.

Gjithashtu mesazhi i saj mund të merret se pavarësisht krisjes së raportit politik me Metës, ndryshimeve të paralajmëruara të figurave në Partinë e Lirisë apo goditjes së nepotizmit të paralajmëruar nga Meta, ajo nuk do ikë po do qëndrojë në politikë.

Në fjalën e saj ajo i ktheu përgjigje edhe Metës për tradhëtarë në krye të PL-së duke e zbuluar veten si një të tillë.

Nëpërmjet kësaj ajo tha se PL-ja nuk duhet të ketë prioritet përjashtimet por hapjen e partisë dhe krijimit e hapësirave të reja për të mësuar nga gabimet.

“Tradhtarët në krye të PL, mes të cilëve dhe unë i ka mbyllur derën shumë prej jush. Prioritet e PL nuk janë përjashtimet por hapja e partisë dhe krijimi i hapësirave të reja dhe për të mësuar nga gabimet e Kryemadhit. Edhe Monika bën gabime sepse nuk është e pagabueshme”

Ajo shtoi se PL-ja nuk ka nevojë për prerje kokash por për program të ri që i jep më shumë hapësirë grave dhe vajzave. Për të cilat ajo shtoi se nuk duhen vajza që i presin kokën njëra-tjetrës, duke insinuar se brenda PL-së edhe mes grave ka përplasje për poste drejtuese.

PL nuk ka nevojë për prerje kokash sepse nuk ka çfarë kokash të presë. Ka nevojë për një program të ri që i jep më shumë hapësirë grave dhe vajzave, por jo atyre që i presin kokën njëra tjetrës. Detyra jonë nuk është që të presim radhën duke eliminuar shokët… Detyra e PL është që morali dhe sfidat e të gjithë anëtarëve të PL është integrimi Europian. Detyra jonë është të forcojmë familjen, jo ta shkatërrojmë atë. Detyra jonë nuk është të vi me Piaggio dhe të largohet me Range Rover”- tha Kryemadhi.

Gjithashtu Kryemadhi kritikoi edhe personat që kujdesen për imazhin e Metës tashmë apo edhe për organizimin e partisë.

Sipas saj “imazhi i Metës po shkërmoqet” dhe se roli i kryetarit të partisë nuk duhet të jetë ai i një administratori godine duke goditur akuzat e Metës se gjatë drejtimit të Kryemadhit nuk kishte roje godina dhe se ishin vjedhur serverat.

“Sot me qindra dhe mijëra djem dhe vajza të LSI që sot e adhurojnë lëvizjen në fakt kanë dhimbje, ka dhimbje kur shikojnë sesi shkërmoqet imazhi i Metës. Kryetari i partisë nuk është administrator godine”-deklaroi Kryemadhi.

Kryemadhi vijoi me kritikat edhe në aspektin e digjitalizimit të partisë së Lirisë, për të cilin sërish Meta e ka kritikuar duke akuzuar ish-përgjegjësin e kanaleve të komunikimit se i kishte sabotuar punën me fotot dhe menaxhimin e rrjeteve sociale.

Për këtë Kryemadhi tha se votat nuk vijnë as me “like” dhe as “share” por duke zgjidhur hallet.

“Votat nuk bëhen as me like e as me share por duke zgjidhur hallet. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për hapje. Djegia e mandateve, unë jam fajtorja, siç janë të gjithë të tjerët. Të gjithë jemi fajtor të asaj situate, sepse besuam në opozitarizëm.”- deklaroi Kryemadhi.

Gjithashtu Kryemadhi foli edhe për nepotizmin duke thënë se nuk është fatkeqësi në një parti politike ku në PL vlerat dhe baza janë familja.

“Sa i përket nepotizmi dua t’ju them, në një parti politike nepotizmi nuk është fatkeqësi. Në partinë tonë vlera dhe baza është tek familja. Një parti e fortë si institucion është me e fortë se një parti individi.”-deklaroi Kryemadhi.

Duket se me fjalimin e saj Kryemadhi jo vetëm mbrojti lidershipin e saj në krye të PL-së por edhe goditi organizimin e ri të Metës kur tha se “imazhi i Metës po shkërmoqet”.